Hidrocentralet në Lumbardh po u shkaktojnë vështirësi bujqve

Mungesa e ujit ka bërë që bujqit, në shumë fshatra të Deçanit, të hapin puset për ujitjen e të mbjellave të tyre.

Thonë që më herët ato i kanë ujitur nga Lumbardhi.

Në fshatin Rastavicë një pjesë e madhe e banorëve merren me bujqësi, megjithatë jo të gjithë i kanë mundësitë të hapin puse, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë pjesë, banorët ballafaqohen edhe me mungesë të ujit të pijes. Edhe për këtë, si zgjidhje i kanë puset.

Përderisa nga Kompania Rajonale e Ujitjes “Drini i Bardhë” kanë thënë se hidrocentralet që janë në Lumbardh po ndikojnë që të mos ketë ujë mjaftueshëm për ujitje.

Kryeshefi i kësaj kompanie, Bedri Haxhiaj, ka shtuar se kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit që ta ndalojë punën e hidrocentraleve gjatë verës.

Para një muaji, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia ka zgjatur afatin edhe për tre muaj kompanisë Kelkos Energy, për të operuar me hidrocentralet në Lumbardh të Deçanit.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka thënë se janë të pafuqishëm në ndaljen e operimit të këtyre hidrocentraleve duke shtuar që asnjë nga to nuk ka leje. /Ndertimi.info/