Sot termocentralet e Kosovës (Kosova A dhe Kosova B) kanë prodhuar mesatarisht diku rreth 760-780 megavatë-orë dhe dhjetëra megavatë të tjerë si rëndom që prodhohen nga kapacitetet modeste të energjisë së ripërtëritshme (turbinave me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës dhe nga disa hidrocentrale me kapacitet fare të vogël që tashmë ka në Kosovë).
Buletini Ekonomik
Pas sanimit të defekteve teknike në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B dhe rikthimit të tij në prodhim në paraditën e së dielës, është shtuar për 250 megavatë-orë sasia e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentralet e KEK-ut.
Rikthimi i kësaj njësie në procesin e punës do të thotë 250 megavatë-orë më pak import për nevojat e konsumit të rritur të Kosovës.
Siç është njoftuar javën e kaluar, situata elektroenergjetike në Kosovë ishte përkeqësuar ndjeshëm për shkak të rënies nga prodhimi i bllokut B1 të Kosovës B të mërkurën, si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kalldajë.
Sipas zyrtarëve të KESCO-s, në dy tre ditët e javës që shkoi, në kohë piku, kur konsumi arriti nivel të lartë të shpenzimit të rrymës, importohej, praktikisht gati gjysma e energjisë së nevojshme për konsum. Sipas tyre, të enjten që shkoi ishin paraparë të importohen deri në afro 600 megavatë-orë energji elektrike. Ndërsa, çmimi i një megavati të energjisë elektrike të importuar sillej diku te mbi 100 euro.
Ndërsa sot, termocentralet e Kosovës (Kosova A dhe Kosova B) kanë prodhuar mesatarisht diku rreth 760-780 megavatë-orë dhe dhjetëra megavatë të tjerë si rëndom prodhohen nga kapacitetet modeste të energjisë së ripërtëritshme (turbinave me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës dhe nga disa hidrocentrale me kapacitet fare të vogël që tashmë ka në Kosovë).
Të martën, siç kanë njoftuar për Buletinin Ekonomik, zyrtarët e Shërbimit të Informimit të KEK-ut, në prodhim gjenden të dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2) me kapacitet secili nga 250-260 megavatë-orë dhe dy njësi të Kosovës A, përkatësisht A3 e A5 me kapacitet secili nga 130 megavatë-orë.
Kurse sot, deri në përmbylljen e këtij teksti nuk arritëm të sigurojmë nga zyrtarë të KESCO-s të dhëna për nivelin e shpenzimit të rrymës në konsumin e Kosovës, as për sasinë eventuale të importit të energjisë elektrike. Ndërsa në KEK kanë njoftuar se me Shqipërinë, sistemin elektroenergjetik shqiptar, aktualisht nuk është duke u bërë ndonjë këmbim i rrymës.
Kosova as nuk po huazon, as nuk po merr hua nga Shqipëria. Shkaqet për këtë nuk shpjegohen qartësisht. Por, zyrtarët të KEK-ut kanë njoftuar se gjatë natës ndërmjet të shtunës dhe të dielës nga Shqipëria janë huazuar nga 250 megavatë-orë rrymë, për shkak se rikthimi i bllokut B1 ishte paraparë të bëhet të shtunën gjatë ditës. Dhe, për shkak se gjatë sanimit ishin paraqitur edhe ca probleme teknike të paparapara, ishte shtyrë deri të dielën rikthimi i B1-shit, ndërkohë që ishte nominuar prodhimi për periudhën nga e shtuna në të dielën, kushtimisht është huazuar sasia e munguar nga B1-shi.
Sido që të jetë, në këto rrethana me temperatura ndjeshëm të ulëta dhe me ditë të acarta, dihet se kapacitetet e stërvjetruara të Kosovës nuk mund të plotësojnë në tërësi nevojat për rrymë. Prandaj, për të evituar sa më shumë importin e shtrenjtë dhe për të ruajtur sa më shumë stabuilimentet ekzistuese prodhuese, alternativa më e mirë mbetet kursimi i rrymës nga konsumatorët, e sidomos nga ata që vazhdojnë të ngrohen me rrymë. /Buletini Ekonomik/