Kurti: Tash e 11 muaj po presim vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje lidhur me prioritet e Qeverisë së tij për këtë vit, për secilën fushë. Duke folur për fushën e drejtësisë, Kurti ka përmendur Vettingun, që tha se po merr rrugë, derisa tha se tash e 11 muaj po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Express.

Ky Ligj është dërguar në Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Tutje, Kurti tha se luftën kundër korrupsionit këtë vit do ta bëjnë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit.

Reklama e sponzorizuar

“Vettingu po merr rrugë, pas Aktgjykimit në fund të vitit që lamë pas, nga Gjykata Kushtetuese. Ky proces përveçse premtim, është domosdoshmëri që na dëshmohet çdo ditë. Krahas tij, e teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit në këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit. Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës si prioritet tjetër i yni, do të vijoj tutje me funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, por gjithashtu, me finalizimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, që nga ardhja e tij në krye të Qeverisë, në Kushtetuese i janë dërguar 11 ligje. I fundit është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Për pesë prej ligjeve, Kushtetuesja tashmë e ka thënë fjalën e saj.