Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), sot, më datë 30.01.2024, ka anuluar tenderin për zhvillimin e projektit ideor për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, që kishte vlerë të parashikuar të kontratës 2.5 milionë euro.
Në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit, Buletini Ekonomik në bashkëpunim me Demokraci Plus (D+), kishin publikuar artikullin hulumtues “Tenderi 2.5 milionësh për Operën përfundon në OShP, nën dyshimet për favorizim të kompanisë fituese” , me autore Mirjeta Shabani, e cila kishte gjetur fakte që dëshmonin se kompania që ishte shpallur fituese nga ana e ministrisë, kishte shkelur rregullat e tenderit, duke zbuluar identitetin e saj në ofertim.
Ligji i Prokurimit Publik (LPP), parasheh që në aktivitetet e prokurimit kur ofertohet me projekte ideore, kompanitë duhet të ofertojnë vetëm me kode dhe identiteti i pjesëmarrëseve nuk do të zbulohet para anëtarëve të jurisë, në mënyrë që të evitohet ndikimi te Komisioni Vlerësues.
Në tenderin për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, ministria i kishte pranuar ofertat me emrat e kompanisë, teksa Komisioni Vlerësues i ministrisë kishte shpallur fitues operatorin ekonomik me kodin 6842, ndonëse në ofertën e kësaj kompanie ishte zbuluar emri dhe logoja e kompanisë.
Këto pretendime janë konfirmuar tashmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), që në vendimin me numër 23/0736 736/23, ka konstatuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si autoritet kontraktues ka shkelur Ligjin për Prokurim Publik, duke shpërblyer me çmimi të parë operatorin ekonomik me kodin 6842, i cili kishte zbuluar identitetin e tij në ofertë.
Pas vendimit të OShP-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka publikuar vendimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, që shënon dështimin e katërt të këtij projekti që kishte nisur për herë të parë në dhjetor të vitit 2009.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.