Më në fund mbyllet ankandi i parë solar në Kosovë

“Kosova e ka një të ardhme të ndritur dhe tani do të kemi një energji të së ardhmes. Nuk duhet të vihet në pyetje kjo”, pati thënë shefja e USAID-it, Samantha Power, me rastin e lansimit të ankandit, në pranverën e 2023-tës. A do të pasojnë skemat tjera konkurruese për realizimin e megavatëve të premtuar nga burimet e erës dhe diellit nga zyrtarët pas ankandit të parë solar?

Buletini Ekonomik

Më në fund, pas disa shtyrjeve, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se më 31 janar 2024 është mbyllur ankandi i parë solar në Kosovë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës, duke e vlerësuar këtë akt si një mundësi unike për investitorët që të shfrytëzojnë burimet e konsiderueshme të energjisë së ripërtëritshme të vendit, ka njoftuar se Kosova ka pranuar 6 oferta, dhe mund të pranojë edhe të tjera përmes postës deri më 3 shkurt, kur edhe do të bëhen publike emrat e kompanive që kanë dorëzuar ofertë.

Reklama e sponzorizuar

“Procesi i ankandit 100 MWh ka qenë i hapur dhe transparent, duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit. Investitorët e interesuar kanë dorëzuar ofertat e tyre, të cilat Ministria e Ekonomisë do t’i vlerësojë në mënyrë të drejtë dhe profesionale në javët në vijim. Komisioni vlerësues, i udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë dhe i përfaqësuar nga institucionet kryesore, përfshirë MAPHI-në, Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe KOSTT-in, do të vlerësojë ofertat kundrejt kërkesave minimale financiare, profesionale dhe teknike, siç janë përcaktuar në dosjen e tenderit”, thuhet në njoftim.

Ofertuesit e kualifikuar do të kalojnë më pas në procesin e ofertimit elektronik ose “e-ankandit”, kur ata do të kenë mundësinë të ulin çmimin e tyre fillestar.

“Ofertuesi që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët në përmbyllje të “e-ankandit” do të shpallet fitues”, u tha në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimit, “ky ankand i parë solar shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje me energji të qëndrueshme dhe të pastër. Përveç ndikimit në sektorin e energjisë, ky projekt solar do të sjellë përfitime të shumta. Komunitetet lokale do të përfitojnë nga mundësia e vendeve të reja të punës, zhvillimi i shkathtësive dhe transferimi i teknologjisë”.

Dhe, sipas zyrtarëve, ky parashihet të jetë ankandi i parë prej shumë ankandeve solare dhe të erës në të ardhmen.

Edhe me këtë rast, Kosova ka ftuar investitorët dhe zhvilluesit që t’i bashkohen në shfrytëzimin e potencialit të vendit për energji të ripërtëritshme dhe të kontribuojnë për një të ardhme të qëndrueshme. Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, me rastin e mbylljes së procesit të ofertimit për ankandin e parë solar 100 megavatësh, duke e vlerësuar si sukses mbylljen e afatit ka shkruar në facebook se “ankandi është sukses drejt ndërtimit të kapaciteteve të reja me çmimin më të përballueshëm për qytetarët, kurse procesi i realizimit të tij është sukses i transparencës e konkurrencës në sektor”.

Sipas Kurtit, “për herë të parë në vendin tonë po realizohet një skemë e tillë konkurruese, ku kompanitë e kualifikuara vijnë të garojnë për të investuar në Kosovë”.

“Ministria e Ekonomisë me përkrahje të USAID ka dizajnuar një skemë tërheqëse për këto kompani. Pas ankandit të parë, në radhë janë skemat tjera konkurruese për realizimin e 950 megavatëve nga burimet e erës dhe diellit”, ka thënë ai.

Siç dihet, Qeveria e Kosovës ka lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet 100 megavatësh në vlerë 75 milionë eurosh që në pranverën e vitit të kaluar, më saktësisht më 12 maj 2023. Ankandi u shpall me përkrahjen e USAID-it dhe u konsiderua si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme. Edhe me rastin e lansimit të këtij ankandi, autoritetet e Kosovës kishin vlerësuar se “hapja e këtij ankandi është shumë i rëndësishëm për Kosovën drejt investimeve në sektorin e energjisë”.

Kryeministri Albin Kurti, më 12 maj 2023, me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar ripërsëriste se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme.

“Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“, kishte thënë ai me këtë rast.

Ndërsa, shefja e USAID-it, Samantha Power, e cila ato ditë qëndronte në vendin tonë, tha se “Kosova ka të ardhme të ndritur në sektorin e energjisë”. Ajo tha se vendi është në rrugë të mirë që të ardhmen të ketë 40 për qind të energjisë në bazë të burimeve të ripërtëritshme.

“Kosova e ka një të ardhme të ndritur dhe tani do të kemi një energji të së ardhmes. Nuk duhet të vihet në pyetje kjo. Nuk do të këtë ndërprerje të energjisë, s’do të kemi shqetësime të mëdha me ndërmarrësit e teknologjisë në mungesë të energjisë. Këto diskutime besoj se nuk do t’i kemi më”, pati thënë ajo.

Megjithatë, shtyrja disa herë me radhë (sipas INDEP-it, 4 herë) e procesit të ankandit të parë solar në Kosovë, e bëri atë të diskutueshëm në publik. Në një reagim për media, INDEP theksonte se shtyrja e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit.

“Vonesat e njëpasnjëshme vetëm sa e ngadalësojnë rrugën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të sigurtë të energjisë. Ky proces kërkon një qasje transparente dhe respektim të përpiktë të afateve kohore”, thuhet në reagim.

Sipas INDEP-it, ankandi i parë solar, jo vetëm që është vonuar e stërvonuar por edhe prej se është nisur ta bëj, Qeveria ka ndryshuar afatet për katër herë. Fillimisht u caktua për 15 gusht 2023, më pas u zhvendos në 30 shtator 2023 dhe së fundi në 16 tetor 2023. Dhe më pas, ishte shtyrë deri më 31 janar 2024.

“Këto vonesa të përsëritura paraqesin pikëpyetje të rëndësishme, jo vetëm për ne, por çka është më e rëndësishmja për kompanitë ofertuese, investitorët potencialë dhe qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin përparimin në iniciativat për energjinë e pastër e të gjelbër. Qartësia dhe qëndrueshmëria janë thelbësore për ndërtimin e besimit në klimën e investimeve!”, thuhet në reagimin e INDEP-it.

INDEP vlerëson se është shqetësues fakti që akterët përkatës, siç është Ministria e Ekonomisë apo vetë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk informojnë publikisht shtyerjet e këtyre afateve.

“As edhe një herë të vetme, nuk është bërë publike shtyerja e afateve për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit, dhe informacioni i tillë bëhet i ditur vetëm përmes qasjes në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe është thelbësore që të tërheqim investitorë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për të shfrytëzuar këtë potencial. Vonesat e shpeshta mund të çojnë në pasoja të parikuperueshme të pengimit të investitorëve të mundshëm dhe cenimit të besueshmërisë së këtij procesi të rëndësishëm”, thonë nga INDEP.

Duhet thënë se ankandi i shpallur për një kapacitet solar 100 megavatësh, që nga shpallja e tij, është konsumuar pa reshtur, shumë herë, gjithsesi, si propagandë nga autoritetet, për të promovuar gjoja përkushtimin dhe interesimet e tyre, për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike. Zyrtarët e vendit, vazhdojnë ta “zmadhojnë” këtë ankand, thuaja se bëhet fjale për një projekt, që brenda ca ditësh do të fillonte të prodhonte energjinë nga dielli. Por, prodhimi nga ky kapacitet energjetik, aq shpesh i apostrofuar nga zyrtarët, është akoma shumë larg, madje është larg fare edhe nisja e punimeve eventuale për ndërtimin e këtij impanti. Mirë që ka interesim për të, por deri te starti për të ngritur këtë kapacitet janë përpara edhe shumë procedura të domosdoshme (përcaktimi i saktë i trollit ku do të ndërtohet impianti, eksproprijimi i tokës, nëse është eventualisht e nevojshme, kompenzimi i saj eventual, pastaj finalizimi i projektit të fizibilitetit dhe projektit final, pastaj përzgjedhja e investitorit, dhe në fund ndërtimi, që do të zgjasë së paku dhjetëra muaj). Dhe, prap se prap, mirë që më në fuund u mbyll ky ankand. Ndërsa, do të ishte edhe më mirë, që të përzgjedhet investitori më i mirë, më serioz, më kredibil dhe më i dëshmuar në këtë sektor, qoftë edhe paksa më i shtrenjtë se konkurrenca. /Buletini Ekonomik/