Kush janë pronarët e Air Albania?

Avioni i parë i “Air Albania”, kompania e parë ajrore shqiptare, u ul pasditen e së premtes në aeroportin e Rinasit, Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar. Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.

Kush janë pronarët e Air Albania?
Me vendimin numër 309 datë 16 maj 2018 firmosur nga kryeministri Edi Rama është krijuar “Air Albania” e cila ka si aksionerë Albcontrol SHa, MDN Investment dhe Turkish Airlines. Aksionerët janë tre kompanitë e sipërcituara ndërsa Albcontrol në këtë ortakëri do të përfaqësojë interesat shtetërore. Albcontrol dhe MDN Investment kanë mazhorancën e aksioneve prej 51% të tyre ndërsa pjesa prej 49% i takon Turkish Airlines. Pra, Albcontrol ka 10%, MDN Investment 41%, ndërsa Turkish Airlines ka 49%.
Por kush është pronari i kompanisë shqiptare pas MDN Investment?

Sipas verifikimeve në qendrën kombëtare të regjistrit të bizneseve rezulton se MDN Investment kompania shqiptare e cila është ortake me pjesën më të madhe shqiptare të linjës ‘Air Albania’ është në pronësi të Sinan Idrizit. Kompania MDN Investment u krijua sipas të dhënave në QKR më 3 Maj 2018 me seli në Vlorë me administrator dhe ortak të vetëm Idrizin. Marrëveshja mes ortakëve u nënshkrua 10 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi i cili është publikuar në fletoren zyrtare numër 82 datë 6 qershor 2018.

Reklama e sponzorizuar

Kush është Sinan Idrizi?


Sinan Idrizi është biznesmen nga Vlora. Ai ka biznese përveç Shqipërisë edhe në Turqi, ndërsa bashkëpunon me kompaninë Atlas Global. Ndërkohë që vetë qeveria turke do të financojë sipas premtimeve aeroportin e Vlorës. Idrizi është President i ekipit të futbollit të Flamurtarit. Biznesmeni prej disa vitesh administron ekipin kuqezi, ndërsa ka premtuar se me mbështetjen e qeverisë shqiptare do të ndërtojë edhe kompleksin ‘Vlora sport’ në qytetin bregdetar. Idrizi është i njohur edhe për përplasjet e forta që ka me Presidenti ne FSHF, Armand Duka, ndërsa nuk kanë munguar edhe akuzat e ashpra në drejtim të tij.

Ekstrakti nga QKR për MDN Investment