Qytetarë të shumtë janë parë duke u ankuar se herë pas here po kanë probleme me shërbimet telefonike të VALA-s. Për këtë problem për Insajderin është deklaruar zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja.
Lepaja thotë se ky problem në kryeqytet pritet të zgjidhet me datë 19 korrik, kur pra edhe pritet të zëvendësohet teknologjia e vjetër me atë të renë.
Ndërkohë në nivel vendi problemet me Valën pritet të marrin fund me 1 shtator.
“Angazhimi i ynë për modernizimin e rrjetit që po bëhet këto ditë në regjionin e Prishtinës ka për qëllim pikërisht këtë për të përmirësuar por për ti ngritur në nivel tjetër, më të lartë shërbimet tona. Kështu ka ndodhur tashmë në pjesët e tjera të vendit si në komunat e Lipjanit, Ferizajt, Kaçanikut, Dardanes, Vitisë, Gjilanit, Mitrovicës, Vushtrrisë ku është ndërruar teknologjia e vjetër dhe tashmë këto probleme janë tejkaluar”
“Aktualisht probleme herë pas here shfaqen në pjesën e kryeqytetit në ato pjesë ku nuk janë ndërruar ende stacionet bazë. Këto probleme kryesisht ndërlidhen me kohën kur po bëhet ndërrimi i Stacione Bazë në lagjen e caktuar. Të gjitha stacionet bazë, të vjetra, në komunën e Prishtinës do të ndërrohen me të reja, fjalë e fundit e teknologjisë, deri më 19 korrik, ndërsa në krejt regjionin e Prishtinës ku përfshihen edhe komunat Podujevë dhe Obiliq ky angazhim do të përfundohet më 1 shtator..”, u shpreh ai për Insajderin.
Pra sipas tij, problemet aktuale, këto ditë, janë të ndërlidhura me procesin e ndërrimit të Stacioneve Bazë nëpër lagjet e kryeqytetit dhe në regjionin e Prishtinës, e që po rrjedh sipas planit të paraparë, tha zëdhënësi.
“Problemet që ndërlidhen me ndërrimin e antenave janë në përgjithësi të shkurta dhe zgjidhen brenda ditës me përfundimin e punës rreth ndërrimit dhe sinkronizimit të Stacionit Bazë”, shtoi ai.
Sipas tij brenda këtij viti problemet me shërbimet telefonike të Valës do të marrin fund, kur në tërësi do të vendoset teknologjia e re.
“Në tërë vendin deri në fund të vitit do të ndërrohet plotësisht, pra në tërë vendin teknologjia e vjetër me të renë dhe këto probleme për të cilat po interesoheni sot, do të mbesin në të kaluarën. Këto probleme do të shuhen me dinamikën që do të zhvillohet modernizimi i rrjetit“.