Superpuna shpërfaq diskriminimin në punësim të komuniteteve

Foto: Buletini Ekonomik

Përmes programit qeveritar Superpuna u punësuan mijëra të rinj në tregun e punës, por të rinjtë nga komunitetet rom ashkali e egjiptas mbetën të margjinalizuar edhe nga kjo masë qeveritare, pa e parë dorën e shtetit të bënte diskriminim pozitiv në punësimin e pjesëtarëve më të papërfshirë në tregun e punës, si në sektorin publik si në atë privat në Kosovë.

Agon Sinanaj

Një konkurs që e hasi papritmas në rrjete sociale, doli të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e të riut nga Klina, Sulltan Ramaj.

Reklama e sponzorizuar

“E pashë një ditë një konkurs që ofrohej praktikë nga qeveria dhe aplikova”, tregon Ramaj, teksa shpjegoi se vetëm pasi shkoi në intervistë e kuptoi se bëhej fjalë për platformën Superpuna.

Në fakt, Qeveria e Kosovës po kërkonte 50 monitorues në terren, për t’u siguruar për mbarëvajtjen e këtij programi të punësimit. Qeveria po synonte punësimin e 10 mijë të rinjëve në kuadër të platformës online “Superpuna” në bizneset e sektorit privat kur e lansoi programin në shkurt të vitit 2023. Në shkurt 2024, ky program është zgjeruar edhe për grupmoshat deri në 29 vjeç, nga 25 sa ishte.

Pas intervistës, Ramaj tregon se u njoftua me shkrim se e kishte marrë punën.

Ai u pranua si monitorues i Superpunës për qytetin e Klinës. E gjithë kjo përvojë, nga aplikimi në këtë konkurs e deri te njoftimi me shkrim se ishte pranuar, atij i ishte dukur mjaft befasuese.

“Unë vetë vij nga komuniteti egjiptian dhe kam qenë pak i besuar për të mirë”.

Për një vit sa zgjati praktika, Ramaj u përkujdes të monitoronte bizneset në komunën e Klinës që ishin përfitues nga skema e Superpunës. Për këtë, ai e kishte detyrë të raportonte në qeveri çdo javë. Por, ai ishte një rast i rrallë.

Një i mitur duke pastruar xhamat e veturave.

Të ‘pa informuar’ e të lënë anash nga shteti

Përfaqësues të organizatave që avokojnë për të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, thonë se një problem evident sa i përket angazhimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas përmes këtij programi, ka qenë mungesa e fushatave sensibilizuese.

Përveç që një pjesë e madhe tyre nuk ka qenë në dijeni se ekziston kjo mundësi, probleme ka pasur dhe me aplikim, pasi procedura e aplikimit teknikisht nuk ka qenë e lehtë.

Vesa Batalli, Menaxhere e Programit në Zërin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, thotë se as organizata që përfaqëson nuk ka të dhëna zyrtare rreth numrit të të punësuarve te komuniteteve përmes platformës Superpuna.

Ajo ka treguar se që nga lansimi i platformës kanë ofruar mbështetje teknike për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që të aplikojnë në shpalljet për vende pune përmes platformës.

“Gjatë kësaj periudhe kemi vënë re që një numër i konsiderueshëm i pozitave kanë qenë për profile menaxheriale kriteret e së cilave nuk i kanë plotësuar pjesëtarët e komuniteteve në shumicën e rasteve,” ka thënë Batalli.

Por, ajo çka vërehet është se përmes këtij programi nuk janë targetuar komunitetet që janë më së paku prezentë në tregun e  punës, anipse qeveria edhe përmes dokumenteve strategjike kishte bërë objektiv një gjë të tillë.

Qeveria e Kosovës zotohej përmes Strategjisë 2022-2026 në seksionin e punësimit se do të “rriste pjesëmarrjen dhe mundësitë në punësim përmes sensibilizimit të punëdhënësve dhe pjesëtarëve të komuniteteve Rom dhe Ashkali si dhe masave stimuluese për punëdhënës.”

Në rastin e programit Superpuna, vërehet se nuk ka pasur fushatë të sensibilizimit apo ndonjë stimulim të punëdhësve për të punësuar pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.

Ekzekutivi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Buletinit Ekonomik nëse në skemën e punësimit ka shtyrë para politika që ndihmojnë punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Nga Ministria e Financave gjithashtu nuk janë përgjigjur pyetjeve se sa prej këtyre të rinjve që janë punësuar përmes Supërpunës janë nga komunitetet dhe nëse ka pasur mekanizma që do të siguronin gjithpërfshirje në punësim për të gjithë e sidomos tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Përkundër insistimit, njëjtë edhe nga Zyra e Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Buletinit Ekonomik.

Bashkim Ibishi, Drejtor ekzekutiv në organizatën “Advancing Together – AT”, e sheh si dështim për angazhim të pakicave në tregun e punës, secilën iniciativë që nuk krijon kuota të diskriminimit pozitiv për përfshirje të komuniteteve. 

Superpuna mundet me funksionu për pakicat veç nëse krijon paramasa, kushtimisht po them benchmarks (standarde), indikator të caktuar që ju mundëson pakicave me u punësu”.

Ibishi thotë se inicitiva të tilla ka pasur edhe në të kaluarën përmes disa programeve të UNDP-së. Në të gjitha ka pasur kuota të vendosura për angazhim të fuqisë punëtore nga pakicat.

Me Ligjin për Shërbim Civil në Kosovë, 10 për qind e vendeve të punës në institucionet publike qendrore duhet të plotësohen nga pjesëtarë të komuniteteve, ndërsa në nivelin komunal, plotësimi i vendeve të punës nga komunitetet bëhet në pajtim me përqindjen e popullatës në atë komunë.

Edhe vet kryeministri Albin Kurti kërkonte më shumë në barazi në punësim për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në një video të shpërndarë në qershor të këtij viti.

Sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, mbi 90 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan janë të papunë.

Në vitin e katërt të qeverisjes Kurti, të dhënat e punësimit të këtyre tri komuniteteve në sektorin publik mbesin të trishta. Në sektorin publik të Kosovës janë të punësuar mbi 80.000 persona. Të dhënat e organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” tregojnë se 113 prej tyre u përkasin këtyre tri komuniteteve.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në administratën shtetërore punojnë mbi 13.000 njerëz, prej tyre 36 të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Diskriminim i dyfishtë?

Nga përvoja në terren në qytetin e Klinës, Sulltan Ramaj thotë se pak të rinj nga komunitetet u përfshin në tregun e punës përmes kësaj platforme. Kur është pyetur për këtë, atij i është kujtuar vetëm një rast nga gjithë përvoja njëvjeçare si monitorues.

“Sa kom mujt i kam njoftu, shok, shoqe, dhe familjarë nga komunitetet për programin e Superpunës. Disa kanë ngecë në aspektin teknik, kanë pas shumë vështirësi me apliku”, thotë Ramaj. “Të tjerë nuk kanë qenë fare të njoftuar se ekziston si mundësi.”

Një aspekt tjetër që ka ndikuar në mospërfshirje të komuniteteve është fakti se programi u ka dhënë mundësi punëdhënësve vetë t’i zgjedhin aplikantët në platformë. Ramaj këtu nuk e përjashton edhe faktin e diskriminimit racor.

“Ka mundësi që ka pasur edhe diskriminim në përzgjedhje për shkak të faktit që janë nga komunitetet”.

Atij i kujtohet vetëm një rast nga e gjithë komuna e Klinës, ku përfitues ka qenë një pjesëtar nga komuniteti pakicë. Mirëpo edhe në këtë rast, punëdhënësi thotë se vjen nga komunitetet jo shumicë.

“Ka qenë një rast që e kam njoftuar. Një pjesëtar i komuniteteve e ka një dyqan në Klinë. Ai ka qenë përfitues nga platforma, ka pasur të angazhuar punëtor nga komunitetet”, thotë Ramaj.

Edhe në rastet e vendosjes së kuotave, ka pasur probleme kryesisht me diskriminim, e lëre më, sipas Ibishit, se çfarë probleme mund të këtë një iniciativë si Superpuna që nuk garanton kuota për përfshirje të të rinjëve nga komunitetet në tregun e punës apo nxit punësimin e të rinjve nga këto komunitete.

“Edhe atëherë nuk është që ka funksionu mirë, por ata i kanë pasur të veçuar indikatorët për pakicat. Por përkundër kësaj ka pasë probleme të mëdha, edhe pas punësimit të pjestarëve nga komunitetet. E kujtoj një rast, i pat punësuar një furrë në Fushë Kosovë dy punëtorë nga pakicat përmes programit të UNDP-së, edhe njerëzit kur kanë marrë vesh që janë nga pakicat, furrës iu ka pakësu puna dhe është dashtë me i liru nga puna”, tregon Ibishi.

Sipas tij, do të duhej me u kriju mundësi për pakicat përmes kësaj platforme, e për t’u realizuar kjo, Ibishi thotë se së pari duhet të ketë vullnet politik.

Sulltan Ramaj me profesion është psikolog, mirëpo ende nuk e ka ushtruar profesionin e tij, përkundër aplikimeve të shumta.

“Tash nuk e kam problem. Mund të punoj çkado, edhe administratë, veç me punu”, thotë i riu nga Klina që i përket komunitetit egjiptian, i cili këtë vit e ka përfunduar një praktikë në Qeverinë e Kosovës si monitorues në platformën Superpuna.

Ramaj thotë se sikur ai, me probleme në punësim në komunën prej nga vjen përballen edhe shumë të rinj e të reja që vijnë nga komunitetet.

Dhe kjo është e njëjtë si për ata që kanë një diplomë faktulteti, si Ramaj, si për ata që nuk janë të shkolluar fare.

Situata e rëndë në punësimin e pakicave është si në sektorin privat, si në atë publik. Bashkim Ibishi nga organizata Advancing Together – AT”, thotë se ka kaluar koha kur është përdorur si arsyetim mungesa e arsimimit në mesin e të rinjve nga komunitetet.

Sipas një raporti të OSBE-së, numri i personave që kanë aplikuar për t’u pranuar në nivelin universitar nga këto tri komunitete është rritur në dekadën e fundit.

“Ne si Advance Together kemi punu me studenta me i kry studimet. Kjo kohë ka kalu. Sot në mesin e pakicave ka juristë, akademikë dhe persona të kualifikuar në shumë profesione”, thotë ai. /Buletini Ekonomik/

Shënim:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e BULETINIT EKONOMIK dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.