GAP: Minimale përmbushja e premtimeve të kryetarëve të komunave – progres në shëndetësi, ngecje në infrastrukturë

Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi progresin e kryetarëve të komunave të Kosovës në përmbushjen e premtimeve zgjedhore deri në muajin qershor 2024, e ku sipas këtij publikimi nga këto premtime vetëm 42 për qind e tyre janë përmbushur.

Sipas raportit, përmbushja më e madhe e premtimeve është në fushën e shëndetësisë dhe administratës, ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura është nga fusha e urbanizimit dhe infrastrukturës.

Blendi Hasaj nga ky Institut, ka thënë se në mandati aktual karakterizohet me një numër shumë më të lartë të premtimeve krahasuar me mandate me të hershme, me gjithsej 1816 premtime.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, problematikë në këtë fazë është se ende nuk ka filluar puna nga kryetarët dhe stafi i tyre për përmbushjen e 421 premtimeve.

“Mandati aktual karakterizohet me një numër shumë më të lartë të premtimeve krahasuara me mandate me të hershme. Në mandatin aktual të kryetarëve të komunave kemi të identifikuar 1816 premtime, pra është dyfishuar numri i premtimeve nga kandidatë për kryetar. Ajo çfarë dallohet në vlerësimin e tanishëm, të tretin me radhë dhe të parafundit për këtë mandat që po hymë, është bërë një progres evident nga viti i kaluar, është bërë një progres evident, nga viti i kaluar, pra krahasuar me vlerësimin e fundit të cilin e kemi bërë, i kemi tani më shumë se 300 premtime shtesë që tani janë përmbushur. Mirëpo një vlerësim tjetër ka mbetur ndoshta pak më problematikë në këtë fazë është se ende nuk ka filluar puna nga kryetarët dhe stafi për 421 premtime, i kemi rreth 421 premtime që ende nuk kanë filluar ndonëse e dimë që kanë mbetur kohë edhe një vit deri sa atyre të ju përfundoj mandati”, ka thënë Hasaj.

Bekim Salihu, nga ky Institut ka thënë se nga mbi 1800 premtimet e dhëna nga kryetrët e komunave, vetëm 42 për qind e tyre janë realizuar.

“Nga 1 mijë e 816 premtime që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore, 42 për qind e tyre janë përmbushur, 17 për qind konsiderohen gjysmë të përmbushura, 18 për qind të premtimeve janë të filluara, ndërkaq 23 për qind e premtimeve akoma nuk ka ndonjë nismë në përmbushjen e tyre. Shprehur numerikisht 765 premtime janë përmbushur, 304 premtime konsiderohen gjysmë të përmbushura, 326 premtime konsiderohen të filluara apo është hasur ndonjë nismë konkretë në përmbushjen e tyre, ndërkaq 421 premtime akoma nuk ka asnjë nismë në përmbushje, që nënkupton që këto premtime konsiderohen  si premtime që nuk kanë filluar”, ka thënë ai.

Ai me këtë rast ka paraqitur edhe përqindjet e përmbushjes se premtimeve në fushat e caktuara, duke shtuar se përmbushja më e madhe e premtimeve është në fushën e shëndetësisë dhe administratës, ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura është nga fusha e urbanizimit dhe infrastrukturës.

“Shikuar sipas fushave përqindja në përmbushjen e premtimeve është: Administratë 66 për qind, Arsim 54 për qind, Bujqësi 50 për qind, Ekonomi 52 për qind, Infrastrukturë 20 për qind, Kulturë 45 për qind, Shëndetësi 66 për qind, Shërbime Publike 25 për qind, Sociale 50 për qind, Sport 36 për qind, Urbanizëm 27 për qind. Bazuar në këto përqindje, rezulton se, ndryshe nga vitet e mëparshme ku kryesisht ka dominuar përmbushja e premtimeve në fushën e shëndetësie dhe administratës. Në këto dy fusha janë dhënë premtime si rritja e transparencës gjatë vendimmarrjes, publikimi i akteve komunale, përfshirja e grave në pozita udhëheqëse, respektimi i procedurave ligjore gjatë rekrutimeve në vende të shpallura të punës, si dhe përshpejtimi dhe digjitalizim i shkresave zyrtare”.

“Në fushën e shëndetësisë, natyra e premtimeve lidhet me rritjen e orarit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, modernizimin e pajisjeve, cilësinë dhe përgjegjësinë gjatë ofrimit të shërbimeve, kontrollet specifike mjekësore për raste dhe kategori të caktuara, e deri te premtimet për përmirësim të kushteve të punës dhe shërbimeve në ambientet e shëndetësisë primare. Ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura është nga fusha e urbanizimit dhe infrastrukturës”, ka thënë ai.

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP thotë se ka për qëllim që t’i mbajë përgjegjës kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. GAP ka monitoruar nivelin  e përmbushjes së premtimeve në 27 nga 38 komunat.

Ky është vlerësimi i parafundit i Institutit GAP (i treti) për këtë mandat, i cili është bërë në bashkëpunim edhe me organizatat lokale. Vlerësimi i fundit do të bëhet në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar.

Ky aktivitet është mbështetur nga Helvetas/projekti DEMOS, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia. /EO/