Tetori i ngrohtë dhe prodhimi në termocentrale – sigurojnë stabilitet në gjendjen energjetike të vendit

Termocentrali 'Kosova B'

Vendimtar në stabilitetin aktual të sistemit elektroenergjetik të vendit dhe të furnizimit të konsumit tonë pa energji elektrike të importuar, gjithsesi është prodhimi i pandërprerë në katër blloqe të termocentraleve Kosova B dhe A, por edhe moti i mirë gjatë këtyre ditëve.

Buletini Ekonomik

Kosova aktualisht karakterizohet me gjendje stabile energjetike. Furnizimi me rrymë i konsumit të Kosovës vazhdon të bëhet pa ndërprerje (pos në vendet ku KEDS-i kryen punë të planifikuara ditore të remontit të rrjetit elektrik) dhe pa reduktime në konsum. Dhe, ky stabilitet është siguruar, në radhë të parë nga prodhimi kontinuel në të dy blloqet e termocentraleve Kosova B dhe në dy të tjera të Kosovës A (A4 dhe A5), por edhe nga moti relativisht i ngrohtë për muajin tetor, që në Kosovën me klimë tipike kontinentale, di të ketë edhe ditë me temperatura goxha të ulëta.

Reklama e sponzorizuar

Moti i mirë që vazhdon të mbajë këtyre ditëve në mbarë Kosovën, ka ndikuar drejtëpërdrejt në shpenzim më të vogël të energjisë elektrike nga kosovarët, të cilët, siç dihet, akoma, janë ndër shpenzuesit më pikantë në rajon të rrymës për ngrohje të shtëpive të tyre. Sipas të dhënave të Barometrit për Ballkanin, të bëra publike së fundi, 51% e qytetarëve të Kosovës ende sot e kësaj dite, shtëpitë e tyre i ngrohin me energji elektrike. Megjithatë, vendimtar në stabilitetin aktual të sistemit elektroenergjetik të vendit dhe të furnizimit të konsumit tonë pa energji elektrike të importuar, gjithsesi është prodhimi pandërprerë të katër blloqe të termocentraleve Kosova B dhe A.

Sipas të dhënave të Zyrës për informim të KEK-ut, sot (e martë, 15 tetor), sikundër edhe disa ditë më parë në prodhim gjenden dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2), që të dyja me remonte të detajuara dhe të kryera tashmë dhe njësitë A4 dhe A5 të Kosovës A, poashtu të remontuara për aq sa ka qenë e mundur për shkak të stërvjetërsisë së tyre.

B1 dhe B2 prodhojnë secili nga 260 megavatë-orë energji elektrike, osë bashkarisht rreth 520 megavatë, ndërsa A4 dhe A5-shi të Kosovës A, janë duke prodhuar nga 130 megavatë secila, ose diku rreth 260 megavatë bashkarisht.

Në këtë mënyrë, prodhimi në termocentralet e Kosovës është diku afër 800 megavatë-orë (saktësisht 780 megavatë), dhe kësaj sasie duhet shtuar edhe dhjetëra megavatë që prodhohen nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, që aktualisht disponon Kosova (kapacitetet e energjisë elektrike në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës, dhe ndonjë megavatë nga minihidrocentralet ekzistuese).

Duhet thënë se remontet e shpeshta të planifikuara në termocentralet e Kosovës janë të kushtëzuara nga vjetërsia e madhe e të dy termocentraleve, sidomos të Kosovës A, dhe ato bëhen për t’i rivitalizuar ato dhe për t’ua zgjatur jetëgjatësinë e prodhimit.

“Remontet në dy njësitë e Kosovës B, të kryera tashmë kanë zgjatur saktësisht nga 35 ditë, në secilën njësi. Ndërsa, këto remonte, kanë qenë goxha të detajuara, të shumëanshme dhe është ndërhyrë për t’i riparuar shumë stabilemente me qëllim të freskimit të këtyre termocentraleve dhe rritjes së gatishmërisë teknike për të operuar sa më mirë gjatë sezonit të dimrit”, i kanë thënë Buletinit Ekonomik zyrtarë të Zyrës për informim të KEK-ut.

Në njëfarë mënyre, efektshmëria e remonteve thuaja kapitale në të dy blloqet e Kosovës B, tani po shpahuhet me prodhim kontinuel të energjisë elektrike, që po siguron stabilitet në gjendjen elektroenergjetike të vendit dhe minimizim të importit të rrymës. /Buletini Ekonomik/