Shahini: Rritja ekonomike pozitive, por e ulët për t’i arritur qëllimet

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit ka thënë se raporti i Bankës Botërore e konfirmoi se ekonomia në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

Ai në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK ka thënë se ekonomia kosovare duhet që të ketë reforma të nxitura nga sektori privat dhe të mbështetura nga institucionet shtetërore.

“Rritja ekonomike 3.8 % edhe pse është pozitive është e ulët për të arritur qëllimet dhe programet të cilat i kemi dëgjuar nga qeveria në të kaluarën se do të bëjë reforma, do të bëjë punësime të reja, do të ndalë migrimin dhe do të rrisë zhvillimin, sidomos të ekonomisë prodhuese”, tha Shahini.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij fakti që në Kosovë ka një migracion në rritje dhe vetëm 37% e personave të aftë janë të punësuar dhe 63 % të papunësuar, tregon sesa në Kosovë ka nevojë për investime.

“Ne nuk kemi parë asnjë brend të fuqishëm ekonomik që ka ardhur në Kosovë për të investuar”, tha ai.

Sipas tij misioni i Aleancës Kosovare të Biznesit mbetet që të fuqizohet sektori prodhues i vendit. “…sepse edhe rritja ekonomike sipas Bankës Botërore nuk është e përqendruar ose nuk merret fare në konsideratë që ka ardhur nga sektori prodhues, por nga konsumi dhe nga investimet nga diaspora në patundshmëri, e që kjo do të thotë, investime në kapital të paluajtshëm dhe joqarkullues”, shtoi ai.

Sipas Shahinit rritja ekonomike në vendin tonë duhet të jetë së paku mbi 7% për të vërejtur një mirëqenie më të mirë qytetare.

“Kosova është e zhytur në kredi. Në një hulumtim të vitit të kaluar të AKB-së 68 % e qytetarëve dhe të bizneseve të Kosovës janë në kredi direkt ose indirekt. Kjo do të thotë se nuk mund të jetojmë pa kredi. Ne as në pushime verore nuk mund të shkojmë pa kredi. Kjo do të thotë se mirëqenia dhe standardi është i ulët”, tha tutje Shahini.