Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka pritur në takim stafin e Zyrёs Qendrore tё Departamentit pёr Çështje Fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, në takim ishin prezentë Debra Adams, Frank van Brunschot dhe Jim Sorensen, me të cilët diskutuan arritjet e ATK-së në proceset tatimore gjatë dy viteve të fundit dhe perspektivat për bashkëpunim në fusha specifike.
“Gjatë takimit, drejtori Murtezaj i njoftoi pjesëmarrësit me progresin e arritur në ATK, duke përmendur reformat e zbatuara për përmirësimin e administrimit tatimor, rritjen e transparencës, dhe përmirësimin e mbledhjes së të hyrave. Ndër pikat kryesore u theksua edhe rritja e efikasitetit në zbatimin e kontrolleve tatimore dhe mbështetja për bizneset në përmbushjen e obligimeve të tyre tatimore”, thuhet në njoftim të ATK-së.
Bëhet e ditur se përfaqësuesit e FMN-së përgëzuan ATK-në për angazhimin dhe rezultatet konkrete të arritura, duke nënvizuar rëndësinë e një administrate tatimore efektive në zhvillimin ekonomik të vendit. Ata shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen në fushat kyçe.
Misioni i FMN-së në Kosovë do të qëndroj në ATK për disa ditë, ku do të takojnë drejtues të departamenteve të institucionit.