Disa bukëpjekës të Prishtinës, pa asnjë arsye dhe logjikë të vetme ekonomike e financiare, ditë më parë ngritën çmimin për një pjesë të produkteve të prodhuara në furrat e tyre. Ndërkohë, sivjet, pos rendimenteve rekorde të grurit në arat e Kosovës, nuk ka ngritje çmimesh as të miellit, as të energjisë elektrike, druve, qirave dhe të disa materialeve më të imta të nevojshme për ta bërë një bukë për treg.
Buletini Ekonomik
Sivjet Kosova pati një vit të bereqetshëm të kulturave bujqësore, sidomos të grurit në Kosovë. Rendimentet rekorde të korrura në arat e fermerëve kosovarë dhe mbushja e sillosëve anembanë Kosovës me grurë vendor, te njohësit e rrethanave, por edhe te qytetarët e rëndomtë, konsumatorët më të mëdhenj të produkteve të miellit nga gruri, ishin një mbështetje serioze për të shpresuar së paku të mos ketë ngritje të çmimit të bukës, ose te optimistët për të shpresuar edhe te ulja e çmimit të bukës, siç nisi të ndodhë në shumë vende të rajonit dhe përtej.
Rendimentet imponuese të grurit hoqën edhe dronë e kahershme të kushtëzuar nga mungesat e grurit për import në sasi më të mëdha të këtij produkti, pasi që u tha edhe nga autoritetet edhe nga mullistët se sasia e sivjetshme e grurit përmbushë shumë më shumë nevojat e Kosovës për grurë se sa në shumë vite paraprake. Pati, madje edhe ndër zyrtarët që jo një herë deklaruan se sivjet Kosova e siguron bukën nga gruri vetanak. Dhe, të gjitha këto parashikime, sikur kanë rënë në ujë këtyre ditëve, kur disa bukëpjekës të Prishtinës, pa asnjë arsye dhe logjikë të vetme ekonomike e financiare, ditë më parë, ngritën çmimin për një pjesë të produkteve të prodhuara në furrat e tyre.
Më saktësisht, në javën që sapo e përcollëm, në një pjesë të Prishtinës, konkretisht në rrugën “Nazim Gafurri”, çmimi i bukës të ashtuquajtur të thekrës, ose bukës së zezë, që kushtonte deri javën e kaluar 80 centë, pa asnjë paralajmërim paraprak, as zyrtar e as privat, është ngritur në 1 euro, ndërsa çmimi i një samuni (pitajkë) nga 25 centë, është bërë 30 centë. Ndërsa çmimi i bukës standarde, 500 gramëshe, që është më e konsumuara dhe më popullorja në familjet kosovare, ç’është e vërteta, ende tek këta furrëtarë ka mbetur i pandryshuar, 50 e 60 centë, varësisht nga furrat dhe vendndodhja e tyre në kryeqytet.
Ndërkohë, në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës i deritashëm del të jetë shumë i lartë edhe po të krahasohet me çmimet ekzistuese të materialit riprodhues të nevojshëm për ta prodhuar një bukë, edhe po të krahasohet me çmimet e produkteve të domosdoshme për pjekjen e bukës. Me fjalë të tjera, edhe çmimi i druve, por edhe i energjisë elektrike, sivjet deri në këtë kohë nuk kanë ngritje çmimi, ndërsa çmimi i druve, një resurs i shfrytëzuar goxha shumë nga furrëtarë kryeqytetas, sivjet madje, është goxha nën çmimin e vjetshëm të druve. Pra, më kot ankohen furrëtarët se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre, për shkak se sivjet, nuk ka ngritje çmimesh as të miellit, as të energjisë elektrike, druve, qirave dhe të disa materialeve më të imta të nevojshme për ta bërë një bukë për treg.
Furrëtarët dhe bizneset e tyre në Prishtinë, vazhdojnë të fitojnë shumë, të shtojnë financat e tyre dhe vazhdojnë të ankohen për marzhën e vogël të fitimit nga buka që shesin. Ankesat e shumta të tyre, po i shfrytëzojnë për ngritje enorme të çmimeve, tani jo të bukës standarde, për të mos rënë shumë në sy dhe për të mos nxitur revoltë të konsumatorëve, por të produkteve të tjera nga mielli, sidomos të pjekurinave. Pjekurinat, dihet, i konsumojnë më së shumti nxënësit dhe fëmijët. Dhe për këtë shkak, furrat në qytetet e Kosovës, sidomos në kryeqytet, shumica e tyre, janë shumë pranë shkollave. Thjeshtë furrëtarët, shumica absolute e tyre, e sidomos e atyre që bizneset e veta (furrat) i kanë të vendosura dhe kryejnë veprimtarinë rreth e qark shkollave dhe kanë kërkesë të bollshme karrshi ofertës, po kështu, të bollshme për pjekurinat e larmishme dhe të shumta, por të gjitha në vëllim dhe peshë fare të vogël. Shesin shumë, qarkullojnë shumë para nga tregtimi i pjekurinave me çmime stratosferike dhe të ngritura përditë në përqindje jo të pakta.
Tani, aktualisht pra, një pjekurinë (“gjevrek”) që në asnjë mënyrë nuk peshon më shumë se 100 gramë, furrtarët e Prishtinës (ata që furrat e tyre i kanë rredh e qark shkollave) e tregtojnë 40 deri në 50 centë, ose përafërsisht sa një bukë standarde (500 gramëshe), ndërkohë që vetëm para disa kohësh i njëjti produkt shitej saktësisht 30 centë, që i bie se brenda ditësh çmimi i një “gjevreku”, që është më shumë i dedikuar për nxënësit e shkollave të kryeqytetit, është shtrenjtuar 30 e më shumë për qind.
Njësoj veprohet edhe me pjekurinat e tjera (kiflet e llojllojshe, kuleqët të ndryshëm etj). Ndërsa nxënësit vazhdojnë të mbushin hapësirat e furrave dhe të presin në radhë përditë dhe me përafërsisht të njëjtin itinerar. Nuk kanë nxënësit shumë zgjidhje për të siguruar shujtën e nevojshme. Ata duan të hanë dhe detyrohen të paguajnë çmimet e shtrenjtuara shumë dhe shumë shpesh.
Çmimet e reja të fundit, në disa furra në rrugën “Nazim Gafurri”, ose në njërën nga furrat që prore është e stërmbushur me nxënës të shkollës fillore “Gjergj Fishta”, për shkak të afërsisë së saj me shkollën, janë ngritur këto ditë çmimet pa asnjë paralajmërim. Në pyetjen e reporterit të Buletinit Ekonomik se cilat janë arsyet e çmimit të ngritur rishtaz, një furrëtare thotë se “me këtë çmim në shumë lagje të tjera të Prishtinës kaherë shiten këto bukë”.
“Ne jemi ndër të fundit që po ngritim çmimet për disa produkte të furrës”, tha ajo.
Në anën tjetër, siç dihet, përfaqësuesit e mullistëve të vendit kishin thënë kohë më parë se çmimi aktual i bukës mund të bie dita ditës pasi po paralajmërohet ulje e çmimit të miellit.
“Pritet me zbrite çmimet e miellit. Kemi sasi të mjaftueshme të grurit dhe të miellit, kjo sasi nuk di a është e mjaftueshme edhe për vitin e ardhshëm, varet në situatën globale që ndodh, por aktualisht jemi mirë me situatën me miellin”, u shprehën zyrtarë të Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, me këtë rast.
Kurse, disa nga furrtarët në Prishtinë, përkundër të gjitha këtyre rrethanave, sërish, mbase edhe duke e shfrytëzuar vëmendjen e përqëndruar të pushtetit te parafushata elektorale dhe margjinalizimin total të kontrollit të domosdoshëm të veprimtarive të ndryshme biznesore, edhe të bukëpjekësve, kanë ngarendur për të ngritur çmimet e produkteve të tyre. Nuk kanë ngritur çmimet e bukës standarde. Por, kanë ngritur çmimet, edhe ashtu enorme të pjekurinave. Ndërsa nxënësit, pa asnjë alternativë tjetër për t’u ushqyer gjatë orëve të mësimit, vazhdojnë të vrapojnë kah furrat, pronarët e të cilave “fërkojnë” duartë për fitimet e tyre manipulative, ndërsa shteti e pushteti bëjnë “sehir’. Ndërkohë, me çmimet e reja, edhe buka e zezë është bërë thuaja e paprekshme për shumë konsumatorë të deritashëm të saj. /Buletini Ekonomik/