Kurti s’paraqitet në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur më 16 dhjetor në Prokurorinë Speciale, me gjithë ftesën që i ishte bërë javën e kaluar për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, tha se zyra e kryeministrit ka njoftuar se Kurti nuk mund të paraqitet për të dëshmuar pasi që është në udhëtim jashtë vendit.

Një ditë më herët, Kurti kishte publikuar në rrjete sociale fotografi nga vizita e tij në Slloveni.

Reklama e sponzorizuar

Kozmaqi tha se Prokuroria Speciale do ta ftojë Kurtin për të dëshmuar në një datë tjetër.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha REL-it se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

Për drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, kjo qasje “është tallje me Prokurorinë Speciale dhe sistemin e drejtësisë”.

“Ky qëndrim nuk duhet parë ndryshe, vetëm si injorim i obligimeve të tij kushtetuese dhe ligjore dhe mesazhi më i keq që dërgohet te publiku lidhur me vullnetin e tyre për luftimin e korrupsionit”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Ai shpreson se Prokuroria Speciale do të vazhdojë t’i ndjekë procedurat e rregullta dhe do ta caktojë një datë të re “sa më shpejt” në mënyrë që të sigurohet efikasiteti i hetimeve.

“Varësisht kur është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve në këtë rast, prokurori i Shtetit i ka afat dy vjet për të marrë vendim qoftë për të ngritur aktakuzë ose jo”, tha Miftaraj.

“Duke marrë parasysh që për këtë rast ka pasur arrestime në muajin gusht të vitit 2023, ka mundësi që aktvendimi është marrë edhe pak para kësaj kohe, kështu që prokurori do të duhej ta bënte planifikimin e duhur për t’u siguruar që ky rast të trajtohet në mënyrë efikase”, shtoi ai.

Katër ditë më parë, burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale e kishin konfirmuar se Kurti është ftuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.

Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të MINT-it.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.

Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje. /REL/