Me heqjen e vizave, kosovarët kanë nisur të lëvizin më shpesh në Zonën Schengen.
Po të ishin aviobiletat më të lira nga kryeqyteti i tyre, mbase do të udhëtonin edhe më shumë.
Krahasuar me aeroportin e Tiranës dhe Shkupit, fluturimi nga aeroporti i Prishtinës është dukshëm më i shtrenjtë për në destinacione evropiane dhe jo vetëm.
Lëvizjet më të shpeshta të kosovarëve janë për në Gjermani, Zvicër e Austri, ku ka më shumë mërgatë.
Një biletë e nxjerrë brenda ditës, të martën e 4 shkurtit, për në Vjenë ishte 242 euro.
Fluturimi nga Tirana për në kryeqytetin austriak doli përgjysmë më lirë.
Një familjeje katër anëtarëshe kosovare për të udhëtuar drejt Romës i duhet t’i ndaj mbi 900 euro për biletat, nëse fluturon nga aeroporti “Adem Jashari” më 15 shkurt. Nga Tirana, fluturimi kthyes, në të njëjtën datë, nuk hip mbi 240 euro.
Kosovarët paguajnë madje shumë kur nisen për në qytetet gjermane si Memmingeni e Shtutgarti.
Afër 200 euro shkon një biletë e vetme drejt këtyre destinacioneve nga Prishtina më 5 ose 20 shkurt.
Dukshëm më lirë kushtojnë nisje-ardhjet nga Shkupi, si p.sh 186 euro, dhe nga Tirana 62 sish.
Të shtrenjta helm janë udhëtimet në destinacionet e mëdha turistike si Parisi apo Barcelona.
Bileta nga Prishtina drejt qytetit katalanas më 17 shkurt kushton 205 euro për person, ndërkaq në Tiranë mund të gjesh biletë edhe me 83 euro.
E nëse nisesh nga kryeqyteti shqiptar drejt atij francez, duhen paguar 156 euro, kurse më 10 shkurt prej Prishtinës në Paris shpenzohen tri herë më shumë para në një biletë individuale.
Arsye pse fluturimet nga Prishtina janë më të shtrenjta se ato nga Tirana, e shpesh edhe nga Shkupi, ka të bëjë me taksat më të larta dhe monopolit për kerozinë (ndoshta edhe avoikompani) që imponohen në aeroportin Adem Jashari. /Klankosova.tv









