Kroacia me ligj të ri, paga e punëtorëve të huaj nuk mund të jetë më e ulët se paga e punëtorëve kroatë

Qeveria kroate ka miratuar një projektligj të ri që do të rregullojë kuadrin ligjor për punëtorët e huaj në vend.

Ky ligj i ri synon të harmonizojë legjislacionin kroat me atë të Bashkimit Evropian, duke përmirësuar statusin dhe mbrojtjen e punëtorëve të huaj, si dhe duke rritur mbikëqyrjen e agjencive që ndërmjetësojnë ardhjen e tyre në Kroaci.

Kryeministri Andrej Plenkoviq theksoi se ky ligj i ri është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të punëtorëve të huaj në Kroaci. Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë dorëzuar 286 mijë kërkesa për leje qëndrimi dhe pune, një rritje prej 22% krahasuar me vitin 2023. Shumica e këtyre lejeve janë lëshuar në sektorët e ndërtimit, turizmit, industrisë, transportit dhe tregtisë.

Reklama e sponzorizuar

Ligji i ri përfshin një sërë ndryshimesh të rëndësishme, duke filluar nga zgjatja e vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit dhe punës nga një në tre vjet, si dhe zgjatja e lejeve për punë sezonale deri në nëntë muaj. Gjithashtu, ligji rregullon edhe çështje të tilla si strehimi i punëtorëve të huaj dhe garancia financiare që punëdhënësit duhet të ofrojnë në rast se heqin dorë nga një punëtor për të cilin kanë marrë leje pune.

Një tjetër risi e këtij ligji është zbatimi i Direktivës së BE-së për Kartën Blu, e cila synon të tërheqë fuqi punëtore të kualifikuar në Kroaci. Sipas kësaj direktive, vlefshmëria e Kartës Blu zgjatet nga 24 në 48 muaj, dhe kjo kartë mund të përfitohet edhe nga persona që nuk kanë kualifikime arsimore, por që dëshmojnë aftësitë e tyre në sektorin e IT-së përmes përvojës së punës.

Ministri i Punës, Marin Piletiq, theksoi se ky ligj i ri rregullon edhe qarkullimin për punëdhënësit që importojnë fuqi punëtore të huaj, duke përcaktuar një xhiro minimale mujore prej 5 mijë euro për personat fizikë dhe 10 mijë euro për personat juridikë.

Ministri Ivan Shipiq shtoi se po krijohet një kategori e re e veçantë e qëndrimit të përkohshëm me qëllim të imigrimit dhe kthimit të emigrantëve kroatë dhe pasardhësve të tyre nga vendet e treta, të cilët nuk do të trajtohen më si të huaj. Kjo do t’u lejojë atyre të aplikojnë për shtetësi menjëherë pas marrjes së lejeve të qëndrimit, si dhe do të kenë të drejtë punësimi dhe vetëpunësimi pa leje qëndrimi dhe pune.