Që në janar dhe në shkurt të këtij viti, në sektorin e ndërtimit në Kosovë shihet trendi i ngritjes së çmimit të banesave. Edhe sivjet në këtë sektor ka shumë oferta të banesave dhe njëkohësisht çmime enorme të larta dhe me tendencë të tejdukshme të ngritjes së mëtejshme, dhe rënie të ndjeshme të kërkesave për të blerë banesa.
Mehmet GJATA
Fillimviti i sivjetshëm në sektorin e ndërtimit në Kosovë në përgjithësi, dhe në tregun e banesave në veçanti, me zhvillimet e paralajmëruara dhe të ndodhura në ndërtimtarinë tonë, sikur po tregon se 2025-ta pak a shumë do të karakterizohet me ecuritë e vitit 2024.
Që në janar dhe në shkurt, në këtë sektor janë karakteristike lëvizjet e shpeshta dhe të papritura, sidomos në lëvizjet e çmimeve të ndërtimeve. Edhe sivjet, ka vazhduar në këtë sektor të mos respektohen ligjet e ekonomisë së tregut (parimi më qenësor në ekonominë kapitaliste), ka vazhduar pra të ketë shumë ofertë të banesave dhe njëkohësisht çmime enorme të larta dhe me tendencë të tejdukshme të ngritjes së mëtejshme, por edhe rënie të kërkesave për të blerë banesa.
Një prishtinas, (që kërkon të mbetet anonim) i cili ka kohë që ka nevojë për një banesë dhe pak a shumë i ka bërë paratë për ta blerë atë, tashmë ka shqyrtuar shumicën absolute të ofertave, të shtrirjes gjeografike të banesave në Prishtinë dhe gjithsesi të çmimeve që ofrojnë ndërtimtarët.
“Jam i shokuar me çmimet e një metri katror të banesave, qoftë në afërsi të drejtpërdrejt me qendrën e Prishtinës, qoftë në periferi më të afërme, por edhe më të skajshmen. Çmimet e banesave në kryeqytet jane enorme të larta, madje të frikshme”, thotë ai.
Sipas tij, tani thuaja është bërë e paarritshme blerja e një banese në Prishtinë edhe për shtresat e mesme, e mos të flitet për ato të varfërat.
“Isha i interesuar për të parë sa do të jetë çmimi i një metri katror i një banese në kompleksin e paralajmëruar për t’u ndërtuar në këndin e rrugëve “Karl Gega’ dhe “Ali Pashë Tepelena” në Prishtinë. Këtu nuk kanë filluar ende punët ndërtimore. Madje, duken larg afatet e nisjes së tyre. Janë në proces e sipër marrja e lejeve të ndërtimit dhe disa procedura të nevojshme administrative. Por, në bazë të informacioneve të marra nga disa njerëz që njohin ndërtuesin e kompleksit në fjalë, që tani, ende goxha larg nisjes së themeleve të këtij kompleksi, çmimi i metrit katror është i përcaktuar tashmë dhe kushton 2,800 euro. Ky çmim është i paraparë nëse banesa kontraktohet tani, ende pa u nisur themelet, ndërsa pas finalizimit të tyre (pas së paku dy-tre vjetësh), ky çmim do të jetë shumë më i lartë”, thotë prishtinasi t’i kenë thënë atij njohës të ndërtuesit të kompleksit të pritshëm të banesave.
Ndërkohë, në afërsi dhe përreth Stacionit të autobusëve të kryeqytetit, që vlerësohet si zonë pak më e largët nga qendra, thuaja shunmica e banesave në ndërtim kanë çmimin nga 1800, 2000 dhe përtej. Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për banesa, ndërsa, sipas tyre, rritja e çmimeve në qendër të kryeqytetit ka zhvendosur kërkesën në periferi, duke bërë që edhe në pjesët periferike të ngritet tashmë çmimi i metrit katror ndjeshëm.
Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar, siç është, bie fjala, lagjja Velania dhe përballë tërë përgjatësisë së Varrezave të Dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese që para 4-5 muajsh kushtonte rreth 1,500 euro, tani nuk mund të bëhet fjalë nën çmimin 2000 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, thonë se është duke u ngritur në këtë fillimvit.
Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani, ndjeshëm përtej 1,500 eurosh. Ndërsa në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,500 euro.
Shkaqet e rritjes së çmimit të banesave ndërtimtarët i shohin te ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe të mungesa e fuqisë punëtore, e shprehur sidomos pas liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës si dhe te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe çmimi tashmë shumë I lartë I tokave në qendrat urbane të vendit. Ndërtimtarët kosovarë edhe më tutje vazhdojnë të paralajmërojnë ngritje të reja çmimesh për vitin 2025.
“Nuk do të ketë zbritje të çmimit për ndërtesa, por do të ketë vetëm rritje të çmimit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Poashtu edhe çmimet e materialeve janë në ngritje e sipër e poashtu edhe tokat që ne i marrim me koncesion ose përqindje edhe aty ka rritje të çmimeve. Janë këta dy a tre faktorë që na shtyjnë rreth ngritjes së çmimeve”, i kishte thënë kohë më parë medies një zyrtar i Shoqatës së ndërtimtarëve të Kosovës.
Edhe i pari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, u deklarua në fund të vitit të kaluar për medie se “çmimet do të varen nga kosto e punës dhe e materialit”. Me fjalë të tjera, sado që edhe ndër ndërtimtarë e kanë të ditur se vazhdon të ndodhë rënia e fuqisë blerëse të kosovarëve shumicë të varfër, zvogëlimi i popullisë (mbi 110. 000 banorë më pak ka evidentuar regjistrimi i 2024-tës krahasuar me 2011-tën), por edhe të paraqitet kriza e pritshme globale e paralajmëruar për ndërtimtarinë në mbarë botën, ata janë kategorik se “nuk do të ketë ulje çmimi të banesave as më 2025-tën”.
Përkundrazi, sipas tyre, do të vazhdojë trendi i ngritjes së çmimit në tregun e banesave të Kosovës. Ndërsa, për ekspertët dhe njohësit e ecurive në sektorin e ndërtimit në Kosovë, këto lëvizje vlerësohen goxha të pakuptueshme edhe për momentumin kohor, aq më shumë kur dihet rënia e theksueshme e shitblerjeve gjatë vitit 2024 të patundshmërive dhe sidomos të banesave, kur dihet tejngopja e tregut me njësi banesore dhe kur shihet në horizont kriza e mundshme me të cilën parashiikohet të përballen ndërtimtarët e Kosovës, si pasojë e rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID-19, por njëkohësisht edhe si pasojë e tregtimit të ndërtimeve me çmime enorme të larta.
Kush do t’i blejë gjithë këto banesa që kanë nisur dhe që janë në plan të nisen në vitet në vazhdim, me çmime enorme të larta dhe me tendenca të ngritjes së mëtejshme të çmimit të tyre? A do të gjenden blerës për gjithë këto banesa në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale të vendit, mbetet çështje e diskutueshme.
Në këtë mënyrë, në Kosovë zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të përballen me paradokset e deritashme – ndërtimet rriten dhe vazhdojnë me ritëm të lartë, çmimet “fluturojnë”, ndërsa shitjet bien ndieshëm, për dallim me disa vite më parë kur pati shumë banesa, ose kur kishte ndërtim të hovshëm dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, dhe pati edhe shumë shitje. Dhe ky paradoks po ndodhë në Prishtinë edhe në këtë fillimvit, por edhe në qendrat e tjera komunale. Dhe ky trend i zhvillimeve në sektorin kosovar të ndërtimeve, gjithsessi, në muajt në vazhdim do ta ketë ndikimin e vet në rritjen e gjithmbarshme ekonomike të vendit në këtë vit, ndërsa ka tendenca që ky ndikim të shtohet gradualisht edhe më shumë në vitet në vazhdim. /Buletini Ekonomik/