AKP nuk i privatizoi as gjysmën e pronave shoqërore

Që nga koha kur ka filluar procesi i privatizimit vetëm gjysma e pronave shoqërore kanë arritur që të privatizohen.

Nga rreth 3 mijë e 951 asete, prej tyre deri më tani janë privatizuar 1 mijë e 762, ndërsa kanë mbetur të paprivatizuara edhe 2 mijë e 189, apo 55 për qind të aseteve.

Nga to, toka bujqësore janë rreth 551, ndërsa asete të tjera janë rreth 1 mijë.

Reklama e sponzorizuar

Këto të dhënë janë bërë të ditura për lajmi.net nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Agjencia ka identifikuar 598 ndërmarrje shoqërore. Nga  598 ndërmarrje shoqërore janë identifikuar 3,951 asete. Prej tyre deri më tani janë privatizuar 1,762 asete, ndërkaq asete akoma të paprivatizuara janë edhe 2,189, apo shprehur në përqindje i bie edhe rreth 55 % e aseteve janë të paprivatizuara”. nga to toka bujqësore janë 551 asete ndërsa asete të tjera janë rreth 1143 asete”, thuhet në përgjigjen më shkrim nga ATK.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, në AKP thonë se nuk dihet vlera e privatizimit, pasi që procesi i privatizimit bëhet përmes tenderëve.

“Siç e dini AKP organizon procesin e privatizimit përmes tenderëve të hapur publik  ku oferta më e lartë fiton tenderin, prandaj nuk jemi në gjendje të bëjmë vlerësime paraprake, ka bërë të ditur AKP-ja.

Ndërkohë AKP-ja ende nuk e di saktë se deri kur do të privatizohen të gjitha pronat shoqërore.

Ata thonë se dinamika e përmbylljes apo likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore është ngushtë e lidhur me dinamikën e përmbylljes së kërkesave kreditore dhe pronësore nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

“Agjencia ka rritur dinamikën e privatizimit me qëllim të  përmbylljes sa më shpejtë të procesit të transformimit të pronës shoqërore. Siç e dini dinamika e përmbylljes apo likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore është ngushtë e lidhur me dinamikën e përmbylljes së kërkesave kreditore dhe pronësore nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. Megjithatë, jo gjithçka varet nga Agjencia. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe unë nuk do të përmendi ndonjë vit të caktuar. Angazhimi do të jetë maksimal që procesi të shkoj sa më mirë, sa më me rregull, të jetë sa më shumë në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të jetë sa më shumë i koordinuar me institucionet e tjera shtetërore”, ka bërë të ditur AKP.