Edhe pse është proceduar në gjykatë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për konflikt interesi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk e ka ndalur dorën e tij të kontratave me kompaninë e Dukagjin Lipës, shkruan Demokracia.com.
Edhe këtë vit, për ta parë një yll nga afër, duhet të paguash sa për një fundjavë në ndonjë kryeqytet evropian. Çmimet e biletave për Sunny Hill Festival 2025 nuk janë aspak të lira, nga 95 deri në 160 euro për hyrje të zakonshme, e deri në 800 euro për VIP. Megjithatë, Komuna e Prishtinës vazhdon ta mbështesë festivalin me para publike, përkundër faktit që tashmë ia ka dhënë tokën me kontratë dhe përkundër çmimeve që nuk janë për xhepin e qytetarëve të zakonshëm.
Vetëm dy muaj pasi u konfirmua zyrtarisht nga APK se Rama kishte shkelur ligjin duke nënshkruar kontratë financimi me “Sunny Hill Sh.P.K.”, një kompani që udhëhiqet nga ish-klienti i tij biznesor, Komuna e Prishtinës ka vazhduar përsëri të ndajë fonde për të njëjtin subjekt.

Kësaj radhe, bëhet fjalë për 200 mijë euro që Komuna e Prishtinës i ka ndarë sërish për organizimin e festivalit “Sunny Hill”, përmes një procedure të negociuar pa publikim të kontratës. Përfitues është kompania “The Sunny Hill” SH.P.K., e regjistruar në emër të Dukagjin Lipës.

Kjo është vetëm një tjetër kontratë me vlerë të lartë që Komuna e udhëhequr nga Rama i jep të njëjtit subjekt, për të njëjtin aktivitet, pavarësisht se në rastin e kontratës prej 175 mijë eurosh, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka përfunduar se ka pasur konflikt të pastër interesi, pasi Rama kishte marrëdhënie të dokumentuar biznesore me Dukagjin Lipën përmes kompanisë së tij “4M Group” në Londër.
Në maj 2024, APK kishte konstatuar se Rama kishte vepruar në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili ndalon zyrtarët publikë që brenda 5 vjetëve nga përfundimi i një marrëdhënieje kontraktuale, të marrin vendime që ndikojnë në favor të atij subjekti.
Në vendimin e saj të detajuar, Agjencia kishte theksuar se Rama ka nënshkruar kontratë dizajni me Dukagjin Lipën më 2020, që kishte përfunduar në maj të vitit 2022, dhe vetëm disa muaj më vonë kishte vendosur që Komuna ta përkrahte kompaninë e tij me qindra mijëra euro. Për këtë veprim, APK kishte proceduar rastin për kundërvajtje në gjykatë, duke vlerësuar se Rama ka shkelur integritetin dhe parimet e ndarjes së buxhetit publik.
Por, ajo që ngre alarmin për standardet e qeverisjes së kryeqytetit është se edhe pas nisjes së procedurës gjyqësore, Rama sërish ka nënshkruar një kontratë të re me të njëjtin subjekt, kësaj radhe edhe më të lartë në vlerë, 200 mijë euro.
Por ky nuk është kontributi i vetëm që Prishtina e Përparim Ramës ka dhënë për Dukagjin Lipën.
Në vitin 2023, Komuna e Prishtinës i ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet një parcelë komunale prej 17 hektarësh, që ndodhet pikërisht në zonën ku mbahet festivali.
Marrëveshja, që ishte nënshkrua dhe miratua nga Kuvendi Komunal, i jep Lipës kontroll pothuaj të plotë mbi tokën publike me të drejtë për të zhvilluar aktivitete të tjera përveç festivalit, për t’i kufizuar aktivitetet e komunës, dhe për të marrë pjesën më të madhe të përfitimeve në rast të ndonjë ngjarjeje tjetër që mbahet aty.
Sipas dokumentit, Komuna mund ta shfrytëzojë këtë tokë vetëm 60 ditë në vit, por nuk guxon të organizojë ngjarje me pagesë, as të thërrasë më shumë se 3,000 pjesëmarrës, dhe vetëm për ngjarje si koncertet e muzikës klasike, jazz-it apo Filarmonisë. Nëse ngjarja është fitimprurëse, 70% e përfitimeve i shkojnë Lipës, dhe vetëm 30% Komunës.
Madje, edhe kur Komuna do të organizojë ndonjë aktivitet, duhet t’i kërkojë paraprakisht leje kompanisë “Sunny Hill”, dhe në rast se shkakton dëme, Komuna është ajo që duhet të paguajë.
Subjekti përfitues i fondeve komunale nuk është organizatë joqeveritare, por një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar -sh.p.k. Pra, një kompani privat që funksionon me qëllim fitimi. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një biznes të mirëfilltë që shet bileta me çmime që fillojnë nga 95 euro dhe shkojnë deri në 800 euro për VIP, duke e pozicionuar qartë festivalin si një produkt tregu.
Megjithatë, përkundër natyrës komerciale, kjo kompani private jo vetëm që ka marrë në shfrytëzim një pronë të madhe publike prej 17 hektarësh për 99 vjet, por po ashtu përfiton çdo vit edhe dhjetëra mijëra euro nga buxheti i qytetit. Kjo krijon një situatë të pashembullt për standardet e ndarjes së parasë publike, një subjekt privat përfiton njëkohësisht edhe prona, edhe subvencione, edhe mbështetje institucionale.









