Autoriteti i Konkurrencës jofunksional, sektori i çmimeve jashtë kontrollit

Fotografi ilustruese

Në mesin e 17 institucioneve të vendit, të identifikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave iu ka vështirësuar në masë të ndjeshme puna, ose u është bllokuar apo pezulluar aktiviteti në mungesë të Kuvendit të Republikës, është edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, një ndër institucionet e rralla në vend, që kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet e jashtëligjshme të çmimeve.

Buletini Ekonomik

Në Kosovë, çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore (të produkteve me origjinë nga qumështi, çmimet e pemëve dhe perimeve, por dhe disa sosh të higjienës), janë ndjeshëm më të larta se në Greqi, Gjermani, Francë, apo Itali. Dhe këto çmime, nuk është se po ndalen apo se po ulen siç ndodhë në shumë vende të botës me çmimet e prodhimeve sezonale, përkundrazi, çmimet në Kosovë, nuk ka javë e muaj, që nuk ngriten.

Reklama e sponzorizuar

Ngritja e egër e çmimeve po ndodhë edhe tani, edhe në muajt e verës, kur nga të dhënat që publikohen në medien ndërkombëtare, por edhe në raporte të ndryshme statistikore të institucioneve prestigjioze të shumë shteteve, shihet qartë se në mbarë botën, në periudhën e deritashme të këtij viti, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nis të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërrmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale).

Në të gjitha vendet e rajonit, çmimet e produkteve bujqësore të stinës janë më të ulura se në Kosovë, për çka, në disa raste deri tani ka raportuar detajisht Buletini Ekonomik. Sipas vlerësimeve të njohësve të ecurive të çmimeve, edhe çmimi i ushqimit, të të gjitha llojeve, praktikisht në lokalet ku gatuhet ushqim në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës, është ngritur për 30 për qind e përtej. Edhe në sektorin e ndjeshëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e qytetarëve, sidomos të atyre të moshuarëve, siç është ai i produkteve medicinale (lexo: ilaqeve), çmimet janë ngritur vazhdimisht. Me çmimet e barnave në Kosovë, dhe me rritjen e shpeshtë të çmimeve të tyre disa herë, patën fare pak efekt premtimet e autoriteteve se do të vendoset një rend edhe në tregtimin e produkteve medicinale, ndërkohë që tregtarët e barnave ka vite që dëshmohen të shkathtë, shfrytëzues të padiskutueshënm të situatave stihike dhe kaotike në tregun kosovar të barnave, dhe përfitues, po kështu, të zotët në situatat e krijuara në këtë sektor si pasojë e lënies pasdore nga institucionet dhe të gjithë të tjerët.

Siç u tha më lartë, ky trend i ngritjeve të çmimeve nuk po ndalet dhe ka vazhduar tash e një kohë e gjatë. Tani, sektori i çmimeve në vend është bërë thuaja me përmasa të gjendjes kaotike dhe goxha destabilizuese të mirëqenies dhe gjendjes sociale të kosovarëve shumicë të varfër. Thënë shkurt, çmimet stratosferike të të gjitha produkteve, veçmas të atyre ushqimore elementare, në Kosovë reflektohen tejdukshëm, sidomos në ç’ekulibrimin e gjendjes sociale të një numri të madh qytetarësh, në mirëqenien e tyre, në futjen borxh të shumë familjeve të banka komerciale me kredi të mbijetesës dhe në varfërimin gjithnjë e më evident të kosovarëve. Ndërsa, çmimet e larta të barnave, të shërbimeve dhe produkteve të tjera medicinale, reflektojnë drejtpërdrejt në mbijetesën e mijëra të moshuarve kosovarë.

Sidomos shumica e pensionistëve të Kosovës e kanë të vështirë të sigurojnë ilaqet e domosdoshme, rreth 150 mijë që kanë pensione të pleqërisë prej 120 eurove. Prandaj, çmimet enorme të larta dhe jashtë çdo logjike të tregut janë bërë destabilizuese dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në luhatjen e gjendjes sociale të Kosovës, edhe ashtu, ndër vendet më të varfëra në rajon dhe përtej.

Me fjalë të tjera, në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në njëfarë mënyre vazhdojnë të mbeten në “rënie të lirë” dhe fare jashtë kontrollit. Pak kush është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët abuziv në disa vitet e fundit. Kanë munguar në të shumtën e rasteve edhe analizat më komplekse dhe më të gjithanshme edhe të dikastereve përkatëse, edhe të ekspertëve për të elaboruar shkaqet pse në Republikën tonë dhe më tutje vazhdojnë të ngriten, thuaja shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe produktet e higjienës, edhe produktet të tjera të shumta. Dhe pse tregtarët e Kosovës nuk ndiejnë për tendenca dhe trende ulje çmimesh në botë, por, gjithnjë gjejnë ndonjë pretekst, qoftë edhe inekzistent, për të pasur çmime të reja të ngritura.

Siç dihet, fillimisht, pretekst për ngritjen e vrullshme të çmimeve për tregtarët e këtushëm ishte pandemia, pastaj një pretekst tjetër dhe një valë e re ngritjesh të egra çmimesh ndodhi me nisjen e luftës ruso-ukrainase. Dhe nuk u ndalën pretekstet për ngritje çmimesh. Ngritja e çmimit të energjisë elektrike shërbeu si shkas për të vazhduar ngritja zingjirore e çmimeve të shumë shumë produkteve. Dhe ç’është më keq, për pasojë të ngërçit politik që po vazhdon që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kaosit dhe anarkisë në sektorin e çmimeve në Kosovë, nuk ka kush t’i dalë përpara. Ngërçi politik, praktikisht, i ka bërë inekzistente edhe institucionet e vetme që në njëfarë mënyre kanë pasur mundësi dhe kompetencë t’i bëjnë njëfarë kontrolli tendencës së ngritjes së egër dhe jashtë çdo logjike ekonomike të çmimeve.

Moskonstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka shpërfaqë tashmë pasojat edhe në sektorin e çmimeve në Kosovë. Ndër 17 institucionet e vendit, të identifikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave iu ka vështirësuar në masë të ndjeshme puna, ose u është bllokuar apo pezulluar aktiviteti në mungesë të Kuvendit të Republikës, është edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, një ndër institucionet e rralla në vend, që kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet e jashtëligjshme të çmimeve. Ky institucion tash e sa muaj është jofunksional për shkak të moskompletimit të bordit me anëtarë të nevojshëm dhe të parashikuar.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka kohë që ka vetëm 3 anëtarë të Bordit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi, duhet të ketë 5 anëtarë. Është institucion që i jep llogari Kuvendit, prandaj edhe organi më i lartë legjislativ është ai që bënë përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të këtij institucioni. Dhe në mungesë të Kuvendit, Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të mbetet jofunksional, me muaj nuk mund të merr vendime, as sanksione kundër shkelësve të ligjit në sektorin e çmimeve, as ndaj atyre për të cilët është konstatuar se kanë ngritur jashtëligjshëm dhe në kordinim me njëri tjetrin çmimin e produktit të tyre, siç është rasti me furrëtarët në disa qendra komunale të republikës. Siç dihet, Autoriteti i Konkurrencës pas kontrollit të disa furrave në Gjakovë dhe në Prishtinë, në fillim të muajit maj të sivjetshëm, kishte konstatuar se ka ndodhur bashkërendim i çmimeve mes furrëtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore një koordinim i tillë në treg. Dhe, pikërisht në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës bëri publik konstatimin se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim”, shumë furra në kryeqytet ngritën çmimin e bukës, asaj standardes, të rëndomtës, që është ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë.

Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të mungesës së anëtarëve të Bordit nuk pati asnjë mundësi të sanksionojë furrëtarët e papërgjegjshëm, me gjithë premtimet që kishte bërë në publik, por edhe megjithë konstatimet evidente për bashkërendim të çmimeve të disa furrëtarëve në vend.

Edhe të tjera institucione, që do të duhej të jenë më aktive në hetimin e ngritjes abuzive të çmimeve, për shkak të ngërçit politik të shkaktuar nga mungesa e institucioneve më të rëndësishme të qeverisjes së vendit, tash e sa muaj janë jofunksionale, ose pjesërisht e përmbushin misionin e tyre në parandalimin e keqpërdorimit të tregtarëve me çmimet. Ndërsa, është qytetari i vendit ai që pëson më së shumti në kaosin dhe anarkinë e krijuar. /Buletini Ekonomik/