Gjendje e rënduar sociale ndër shumë kosovarë

Nga të dhëna të shumta rreth rënies së përshpejtuar të mirëqenies së kosovarëve, çekuilibri social me tendenca të theksueshme të varfërisë evidente në Kosovë është pasojë në radhë të parë e varfërisë të të ardhurave (varfërisë materiale-financiare) në shumicën e familjeve kosovare dhe ngritjes enorme të çmimeve të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve.

Buletini Ekonomik

Në Kosovë nuk ka shumë të dhëna aktuale për zhvillimet ekonomike (as për nivelin real të investimeve kapitale dhe të jashtme, as për ecuritë e çmimeve, as për reduktimin e mirëqenies së kosovarëve si pasojë e çmimeve egërsisht të ngrutura dhe stagnimit evident të pagave…

Reklama e sponzorizuar

Edhe të dhënat e disponueshme nga institucionet kompetente në të shumtën e rasteve nuk janë të përditësuara, për të mos thënë janë të vjetëruara dhe jo shumë bindëse për të trajtuar ndonjë ecuri dhe zhvillim, qoftë ekonomik, qoftë social në vend. Në këtë mënyrë, ekspertët, në mungesë të të dhënave të përditësuara, siç i kanë në shumicën absolute të vendeve të botës, në raste të shumta, kushtimisht kushtëzohen të përdorin të dhëna goxha të vjetëruara dhe jo shumë të qëndrueshme në momentin e përdorimit, ose të hamendësojnë me shifrat në bazë të njohurive personale. Nuk ka të dhëna edhe aq të përditësuara në Kosovë as për zhvillimet më të fundit sociale, për degradimin evident të mirëqenies dhe për rritjen e varfërisë. Ndërsa të gjitha të dhënat e deritashme, edhe ato të viteve të fundit, edhe të dhënat e hamendësuara të ekspertëve dhe njohësve të rrethanave se Kosova vazhdon të jetë e varfër (me tendencë të rritjes së varfërisë), me numër shumë të madh të banorëve ekstremisht të varfër, me numër të theksueshëm të familjeve që kërkojnë ndihmë sociale, me shifra rekorde për rajonin për numrin e të papunëve, me mbi 140 mijë e sa pensionistë që kanë pensionin mujor gjithsej 120 euro, po vazhdon të varfërohet edhe më tej për shkakun e mungesës së politikave sociale dhe ngritjes enorme të çmimeve.

Dihet, pra, se Kosova sot ka çmime enorme thuaja të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore që tejkalojnë edhe ato të shteteve më të pasura të Europës, se të rajonit po se po (rreth 50 për qind është rritja mesatare e çmimeve të prodhimeve bujqësore në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, sipas të dhënave të ASK-së). Qytetari i Kosovës sot paguan më shtrenjtë se në shumicën e vendeve europiane dhe të rajonit – çmimin e vajit, miellit, sheqerit, bulmetrave, të gjitha produktet e higjienës. Ndërsa, ngritja e çmimit të energjisë elektrike për 16,1 për qind në prill të këtij viti, është bërë sfidë plus për qytetarët e vendit tonë.

Njohësi i politikave ekonomike, siç është Shenoll Muharremi, i njohur për reagime të shpeshta dhe me shifra konkrete për ecuri të ndryshme financiare në vend dhe të rënies së mirëqenies, ditë më parë në një postim në rrjetet sociale, ka thënë se vlera e parasë ka pësuar rënie nga viti 2021 deri më sot. Madje, sipas tij, 100 euro të vitit 2021, sot kanë vlerë prej rreth vetëm 65 euro, ose , “harxhin” që qytetarët e kanë blerë më 2021 me 500 euro, sot mund ta blejnë të njëjtin me rreth 760 euro. Me fjalë të tjera Muharremi konstaton se “në vend të 500 eurove (2021) sot do të duhen rreth 760 euro në muaj me i ble produktet e ngjashme apo që me qenë në të njëjtin nivel fuqie blerëse si në vitin 2021”.

Shenoll Muharremi, duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili ditë më parë kishte thënë se “qarkullimi i bizneseve në Kosovë ka arritur një rekord prej 10.7 miliardë eurove për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025”, ka cituar të dhëna të BQK-së, sipas të cilave, “borxhi familjar është rritur 118% në vetëm tre vjet, ose nga 1.18 miliardë euro në janar 2021 në 2.57 miliardë euro në dhjetor 2024”. Dhe sipas tij, rritja e qarkullimit nuk është tregues i përmirësimit të jetës së qytetarëve, por rezultat i një ekonomie që po mbahet mbi borxhin familjar dhe kreditë bankare.

Nga të dhëna të shumta rreth rënies së përshpejtuar të mirëqenies së kosovarëve, çekuilibri social me tendenca të theksueshme të varfërisë evidente në Kosovë është pasojë në radhë të parë e varfërisë të të ardhurave (varfërisë materiale-financiare) në shumicën e familjeve kosovare dhe ngritjes enorme të çmimeve të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve. Të ardhurat e ulëta familiare, pagat e ulëta në të dy sektorët, veçmas në sektorin privat dhe çmimet enorme të larta – të barabarta me çmimet në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës, edhe pse pagat e kosovarëve edhe sot e kësaj dite mbesin më të ulëtat ndër shtetet e rajonit dhe të Europës, e kanë ç’rregulluar në përmasa të krizës sociale gjendjen e mbijetesës së kosovarëve. Në këtë kontekst, Kosova, banorët shumicë absolute të saj, del të kenë aktualisht standard që lë shumë për t’u dëshiruar, dhe karakterizohen me gjendje evidente të rënduar sociale. Sepse, përgjithësisht të ardhurat e një familjeje në Kosovë janë relativisht të ulëta, ndërsa kur të kihet parasysh niveli i çmimeve të të gjitha produkteve, por edhe ato të shërbimeve (në shëndetësi sidomos), të ardhurat familiare në republikën tonë zhvlerësohen maksimalisht, dhe në këtë mënyrë e bëjnë gjendjen sociale, nëse mbështetemi në standardet ndërkombëtare, të mjerueshme, të çekuilibruar maksimalisht në favor të varfërisë, në favor të përjashtimit social dhe sfiduese për mbijetesën e shumicës së kosovarëve.

Të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social në Kosovë mund të llogariten njerëzit e prekur nga varfëria e të ardhurave, që në këto momente janë numerikisht të shumtë, njerëzit e prekur nga varfëria e rëndë materiale dhe varfërimi social, që po kështu numerikisht janë frikshëm me numër enorm të madh. Madje, në disa kategori të banorëve të Republikës, siç janë pensionistët, me pensione minimaliste të shumicës së tyre (140 mijë e sa pensionistë, ata të “pleqërisë”, nga rreth 200 mijë sa ka gjithsej Kosova marrin vetëm nga 120 euro pagën e pensionit), nuk ka si mos të rëndohet gjendja sociale e këtyre njerëzve.

Ndërkohë që Kosova, në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike, jo vetëm që nuk po arrinë ta zbusë varfërinë, por ç’është më keq, po vazhdon ta thellojë atë. Kosova mbetet më e varfëra në rajon dhe me gjendje seriozisht të rënduar sociale. Vetëm Shqipëria, ndoshta është shumë pranë, për nga varfëria. Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për vitet e fundit, të publikuara herë pas here në këto dy-tre vitet e fundit, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon. Sipas të dhënave të mëhershme të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2-3 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Edhe në këtë vit, shumë të dhëna flasin për tkurrje të ndjeshme të buxhetit të shumë familjeve në Kosovë dhe rënie të fuqisë blerëse të familjeve shumicë, si pasojë e çmimeve enorme të larta dhe stagnimit të nivelit të pagave, që vazhdojnë të jenë ndër më të ulëtat në rajon. Çmimet e ngitura thuaja çdo ditë gjatë vitit 2025 dhe në këta muaj të këtij viti, sidomos të produkteve elementare ushqimore, atyre të shportës, po shpërfaqin nga muaji në muaj pasojat me ndikim direkt në gjendjen sociale të shumicës së kosovarëve. /Buletini Ekonomik/