Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për heqjen e tarifës doganore për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi i miratuar më 01.08.2025, synon të lehtësojë tregtinë dypalëshe mes dy vendeve.
Sipas njoftimit zyrtar nga Dogana e Kosovës, kjo masë e njëanshme nga ana e Qeverisë së Kosovës “do të sjellë përfitime konkrete për bizneset dhe konsumatorët vendorë, duke ndikuar gjithashtu pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me SHBA-në”.
“Mallrat të cilat importohen nga SHBA e të cilat plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale, që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe publikimit të tij në gazetën zyrtare 01.08.2025, mund të importohen në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa pagesë të tarifës doganore”- thuhet në njoftim.
Tutje, Dogana bënë të ditur se dokumentacioni i kërkuar për përfitim nga përjashtimi përfshin:
-Certifikatë e vlefshme e origjinës preferenciale, e lëshuar nga autoritetet amerikane;
-Deklaratë për origjinën në faturë, në përputhje me legjislacionin në fuqi të të dyja vendeve.
“’Mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 01.08.2025, të cilat përmbushin kriteret për t’u trajtuar si mallra me origjinë preferenciale, por që në momentin e importit nuk kanë përfituar këtë trajtim, do t’u nënshtrohen procedurave për rimbursim të detyrimeve doganore, në përputhje me dispozitat në fuqi”- thuhet më tej në njoftim.
Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë operatorët ekonomikë që importojnë mallra nga SHBA të kontaktojnë institucionin për informacione dhe udhëzime shtesë mbi mënyrën e aplikimit të trajtimit preferencial dhe dokumentacionin përkatës.
Kosova kishte 10% tarifë ndaj mallrave të importuara nga SHBA, si për krejt shtetet e tjera me të cilat nuk ka Marrëveshje të tregtisë së lirë.
Kurse, Kosova deri para Vendimit të Trumpit ka qenë në listën e vendeve tregtare preferenciale – gjë që ka mundësuar që një numër i konsiderueshëm i produkteve të Kosovës të eksportohen në SHBA pa detyrime importi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, heqjen e tarifës për mallrat nga SHBA e ka quajtur hap të radhës që tregon bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së. Ai ka shprehur falënderim për vazhdimin e Programit të Sfidave të Mijëvjeçarit nga SHBA-të.
Më 01.08.2025, presidenti amerikan, Donald Trump i ka ndryshuar disa prej tarifave reciproke para ultimatumit të 1 gushtit për arritje të marrëveshjeve të reja tregtare.











