Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar dje Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin shtator 2025.
Sipas këtyre statistikave, në përgjithësi këtë vit ka pasur rënie të përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë (2024).
Në muajin shtator 2025, krahasuar me muajin shtator 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-26,8%); skema për pensionet e Trepçës (-19,7%); skema e ndihmës sociale (-12,1%); skema për pensionet familjare (-10,7%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-2,2%); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-1,7%); skema për veteranët e luftës (-0,7%).
Megjithatë, sipas ASK-së, në muajin shtator 2025, krahasuar me muajin shtator 2024 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (9,0%); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,5); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (8,2%); skema e pensioneve bazike të moshës (6,7%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (4,9%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,0%); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,9%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (1,3%). /Buletini Ekonomik/









