Institucionet kompetente për monitorimin e tregjeve në Kosovë, jofunksionale

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, sado që ka pohuar se rreth 25 produkte ushqimore (djathi, vezët, qumështi, e produktet të cilat janë të domosdoshme për familjet) po monitorohen për shkak të ngritjes së çmimeve, duke analizuar e shqyrtuar keqpërdorimet në ndryshimet e çmimeve të tyre, ende është jofunksional dhe nuk mund të marrë vendime, as sanksione eventuale për shkelësit e tregut, për shkak të moskompletimit të bordit me anëtarë të nevojshëm të parashikuar.

Buletini Ekonomik

Ngritja e çmimeve edhe në këtë vit ka vazhduar hovshëm, ose, pak a shumë, ka tejkaluar mesataren e ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve ushqimore, në dy-tre vjetët e fundit. Ndërkohë, siç dihet dhe siç konstatojnë njohësit e ecurive të konsumit dhe të çmimeve, edhe në këtë periudhë të vitit 2025 (deri në shtator) grupi i produkteve ushqimore zë vendin kryesor të shpenzimeve te familjet kosovare dhe, praktikisht, zë peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve mujore.

Reklama e sponzorizuar

Pikërisht rritja enorme e çmimeve të produkteve ushqimore elementare në muajt e deritashëm të sivjetshëm ka ndikuar ndjeshëm në rrezikimin e jetesës së një numri të madh të qytetarëve të vendit, sidomos të shtresave të varfëra dhe atyre të mesme. Por, çka tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për ngritjen e çmimeve deri në shtator? Rritja vjetore e çmimeve, sipas ASK-së, është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

Pos çmimeve të pushimeve të organizuara, që sipas të dhënave të ASK-së, në shtator krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, u rritën me 23.1 për qind, biletave të fluturimeve me 22.5 për qind dhe energjia elektrike me rritje 17.4 për qind, edhe grupi i produkteve ushqimore zë ndër vendet kryesore të shpenzimeve te familjet kosovare. Sipas të dhënave të ASK-së, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1 për qind), qumështi, djathi dhe vezët (8.8 për qind), shërbimet hoteliere (8.3 për qind) dhe vajrat e yndyrat (6.8 për qind). Ndërsa, çmimi i kafesë, çajit dhe kakaos në këtë periudhë të trajtuar nga ASK-ja është ngritur me 14.2 për qind, si dhe çmimi i pemëve me 13.0 për qind.

Edhe sipas statistikave të publikuara nëpër medie të ndryshme të vendit, çmimet e produkteve elementare ushqimore në këtë periudhë kanë tejkaluar çdo parashikim. Çmimi i një litri qumështi në dyqanet në Kosovë, sipas këtyre të dhënave, aktualisht sillet nga rreth 1 euro e 20 centë deri në 1 euro e 70 centë. Ose, për të siguruar gjërat kryesore të shportës së konsumatorit (1 kilogram miell, 1 litër qumësht, 1 litër vaj dhe 1 kilogram sheqer) duhet harxhuar minimumin diku mbi 5 euro.

Sipas vlerësimeve të njohësve të ecurive të çmimeve, edhe çmimi i ushqimit, të të gjitha llojeve, praktikisht në lokalet ku gatuhet ushqim në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës, është ngritur për 30 për qind e përtej. Me fjalë të tjera, në Kosovë çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore (të produkteve me origjinë nga qumështi, çmimet e pemëve dhe perimeve, por dhe disa të higjienës), në shtator kishin arritur nivele ndjeshëm më të larta se në Greqi, Gjermani, Francë apo Itali.

Dhe këto çmime nuk është se po ndalen apo se po ulen, siç ndodhë në shumë vende të botës me çmimet e prodhimeve sezonale; përkundrazi, çmimet në Kosovë nuk ka javë e muaj që nuk ngriten. Në të gjitha vendet e rajonit, sipas të dhënave, çmimet e produkteve bujqësore të stinës janë më të ulura se në Kosovë, për çka në disa raste deri tani ka raportuar detajisht Buletini Ekonomik.

Në Kosovë, ç’është më keq, për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mungesës së institucioneve më të rëndësishme të shtetit, nuk ka kush të merret me problemet dhe pasojat që shkaktojnë këto lëvizje të pandalshme çmimesh. Me fjalë të tjera, në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në një farë mënyre vazhdojnë të mbeten në “rënie të lirë” dhe fare jashtë kontrollit. Pak kush, për shkaqet e sipërpërmendura, është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët abuziv, edhe në periudhat e fundit.

Kanë munguar në të shumtën e rasteve edhe analizat më komplekse dhe më të gjithanshme të dikastereve përkatëse, edhe të ekspertëve, për të elaboruar shkaqet pse në Republikën tonë vazhdojnë të ngriten thuaja shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe produktet e higjienës, edhe produktet e tjera të shumta.

Ndër 17 institucionet e vendit, të identifikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave iu ka vështirësuar në masë të ndjeshme puna, ose u është bllokuar apo pezulluar aktiviteti në mungesë të Kuvendit të Republikës për muaj të tërë, është edhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, një ndër institucionet e rralla në vend, që kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet jashtëligjore të çmimeve.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, një nga institucionet e pakta që do të duhej të monitorojë tregjet e vendit dhe shkeljet nga tregtarët, ngritjen e paligjshme të çmimeve dhe një varg manipulimesh të tjera nëpër ambientet tregtare anembanë vendit, sado që ka pohuar se rreth 25 produkte ushqimore (djathi, vezët, qumështi, e produktet të cilat janë të domosdoshme për familjet) po monitorohen për shkak të ngritjes së çmimeve, duke analizuar e shqyrtuar keqpërdorimet në ndryshimet e çmimeve të tyre, ka kohë që nuk mund të marrë vendime, as sanksione për shkak të moskompletimit të bordit me anëtarë të nevojshëm dhe të parashikuar.

Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës ka kohë që ka vetëm 3 anëtarë të bordit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi duhet të ketë 5 anëtarë. Është institucion që i jep llogari Kuvendit, prandaj edhe organi më i lartë legjislativ është ai që bën përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të këtij institucioni. Dhe në mungesë të konstituimit të Kuvendit deri tash, Autoriteti i Konkurrencës ka vazhduar të mbetet jofunksional.

Me muaj, pra, nuk mund të marrë vendime, as sanksione kundër shkelësve të ligjit në sektorin e çmimeve, as ndaj atyre për të cilët është konstatuar se kanë ngritur jashtëligjshëm dhe në koordinim me njëri-tjetrin çmimin e produktit të tyre, siç është rasti me furrtarët në disa qendra komunale të republikës.

Siç dihet, Autoriteti i Konkurrencës pas kontrollit të disa furrave në Gjakovë dhe në Prishtinë, në fillim të muajit maj të sivjetshëm, kishte konstatuar se ka ndodhur bashkërendim i çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore. Një koordinim i tillë në treg, pikërisht në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës bëri publik konstatimin se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim”, shumë furra në kryeqytet ngritën çmimin e bukës, asaj standardes, të rëndomtës, që është ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë.

Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të mungesës së anëtarëve të bordit, nuk pati asnjë mundësi të sanksiononte furrtarët e papërgjegjshëm, me gjithë premtimet që kishte bërë në publik, por edhe megjithë konstatimet evidente për bashkërendim të çmimeve të disa furrtarëve në vend. Në këtë mënyrë, derisa të kompletohet bordi me anëtarët e paraparë, ky institucion praktikisht mbetet jofunksional.

Ngërçi politik i stërgjatur ka bërë inekzistente edhe institucionet dhe institucionet e tjera të vendit, të cilat, në një farë mënyre, kanë pasur mundësi dhe kompetencë të bëjnë së paku ndonjë kontroll për të sfiduar sado pak tendencën e ngritjes së egër dhe jashtë çdo logjike ekonomike të çmimeve. Ministria e Industrisë dhe Tregtisë ka kohë që është tërësisht jofunksionale. Nga ky institucion nuk është bërë publike në këtë periudhë ndonjë ndërmarrje apo veprim për monitorimin e tregut.

Në këto kushte, pos abuzimeve të përditshme me çmime të ngritura pakuptueshëm dhe jashtë çdo logjike tregu, shumë tregtarë të pandërgjegjshëm të Kosovës abuzojnë me lloj-llojë veprimesh gjatë tregtimit brenda hapësirave tregtare.

Të ashtuquajturat aksione, për shembull, që aplikojnë kohë pas kohe megamarketet dhe supermarketet e shtëpive të mëdha tregtare, janë kryekëput keqpërdorim i tejdukshëm i klientelës me falsitetin e uljes së çmimeve. Shumë megamarkete, nëpërmjet reklamimit agresiv, paralajmërojnë ulje të çmimit të disa produkteve, veçanërisht të atyre ushqimore, të nevojshme për çdo ditë për familje, por kur klientela shkon të furnizohet me mallin e ofruar me ulje çmimi, në raft nuk e gjen atë mall fare, përkatësisht rezervohet vendi i zbrazët në raft për mallin e reklamuar me çmim të ulur që më mëngjes. Arsytimi i personelit është i përsëritur: “Nuk ka mbetur, është shitur shpejtë.” Ka shumë gjasë që malli i reklamuar me ulje çmimi të mos ekspozohet fare, por në vend të tij përgatitet rafti i zbrazur, ose në raste ekspozohen disa ekzemplarë të produktit, që me të vërtetë tregtohen shpejt.

Këtë e kanë vërejtur konsumatorët e zhgënjyer, të cilët përmendin edhe shumë raste të tjera të keqpërdorimit të ashtuquajturave “aksione”, siç janë shitjet e mallrave me afat të skaduar, apo vetëm një ditë nga skadimi i mallit, dallimi i shpeshtë i çmimit në raft nga ai në arkë e shumë të tjera. Ndërsa keqpërdoruesit, tregtarët që manipulojnë konsumatorët, mbeten të pasanksionuar në mungesë të institucioneve kompetente funksionale.