Murati: 200 milionë euro humbin pakthyeshëm nëse Kuvendi nuk ratifikon sot marrëveshjet ndërkombëtare

Hekuran Murati, ministër i Financave në Kosovë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nëse Kuvendi sot nuk ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, Kosova humb 200 milionë euro.

Murati ka thënë se  bëhet fjalë për 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore.

“Nëse Kuvendi sot nuk arrin të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë mbi 200 milionë euro humbin pakthyeshëm: 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota”, ka shkruar Murati.

Reklama e sponzorizuar

Sot është paraparë të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës. Njëra në ora 11:00, ndërsa seanca tjetër nga ora 14:00 do të jetë për votimin e qeverisë së propozuar nga mandatari Glauk Konjufca.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.