Jakurti: Rritja e çmimeve në Kosovë po vjen nga brenda, jo nga importi

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës janar–shtator, çmimet e importit kanë regjistruar një ndryshim mesatar prej -0.5%, duke shënuar kështu deflacion në mallrat e importuara. Kjo nënkupton se importet, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë mesatarisht më të lira.

Megjithatë, të dhënat e inflacionit tregojnë një tjetër realitet për konsumatorët. Norma e inflacionit në vend ka arritur në 3.4%, çka do të thotë se çmimet e përgjithshme të mallrave dhe shërbimeve janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti, ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke theksuar se mospërputhja mes rënies së çmimeve të importit dhe rritjes së inflacionit është tregues i qartë se presioni inflacionar vjen nga brenda vendit. Ai ka rikujtuar paralajmërimet e bëra një vit më parë, duke thënë se “inflacioni tashmë është Made in Kosova”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, ky fenomen tregon se faktorët e brendshëm—qoftë çmimet vendore, politikat fiskale apo struktura e tregut—po ndikojnë më shumë në rritjen e kostos së jetesës sesa zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Jakurti, me një nuancë ironie, ka shtuar se ndoshta “është mirë që më në fund po ‘prodhojmë’ edhe diçka tjetër—përveç krizave politike.” /Buletini Ekonomik/