Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka publikuar të dhëna të përditësuara mbi numrin e përfituesve dhe vlerën e mjeteve të shpaguara që nga fillimi i operimit në vitin 2002 e deri më 31 tetor 2025. Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë përfituar pension nga kursimet e tyre pensionale është afruar në 91 mijë persona, ndërsa shuma totale e mjeteve të tërhequra ka kaluar mbi 562 milionë euro.
Të dhënat e detajuara sipas kategorive të pensionimit janë si vijon:
-
Pensionet e moshës: 71,552 përfitues, me një vlerë totale të shpaguar prej 470,242,482 euro.
-
Pensionet e invaliditetit: 3,491 përfitues, me 9,754,904 euro të shpagura.
-
Pensionet e trashëguara (rastet e vdekjeve): 15,573 raste, me një shumë prej 69,349,321 euro.
-
Pensionet e shtetasve të huaj: 358 përfitues, me 13,126,937 euro të shpagura.
FKPK vazhdon të jetë institucioni kryesor që administron kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës, duke shpërndarë çdo vit dhjetëra miliona euro për përfituesit që plotësojnë kushtet ligjore për pensionim. /Buletini Ekonomik/









