ZRrE paralajmëron masa ndaj operatorëve që i shkaktuan devijimet, situatën e krijuar e quan me “implikime direkte për sigurinë energjetike të vendit”

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka paralajmëruar masa ndaj operatorëve të licencuar që shkaktuan devijime në rrjetin interkonektiv evropian, në përmasa të papara më parë. Sipas njoftimit të KOSTT, në orët e vona mbrëmë, KESCO shkaktori devijime në raste deri në 200 MW, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike për mbulimin e konsumit.
Saktësisht, për ditët 13 dhe 14 janar, nominimet nga KESCO ishin të gabuara deri në atë nivel, sa devijimet në orë të caktuara shkuan edhe mbi 200 MW.
Kjo situatë e ekspozon Kosovën si vend problematik në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë. Sipas KOSTT, me këtë nivel të devijimeve Kosova rrezikon edhe përjashtimin nga ENTSO.
Në një përgjigje për Buletini Ekonomik, nga ZRrE thonë se “menjëherë pas pranimit të njoftimit nga KOSTT për devijimet e mëdha dhe të vazhdueshme, ZRRE ka reaguar duke kërkuar nga të gjitha palët e licencuara që, në përputhje me obligimet ligjore, të ndërmarrin pa vonesë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e devijimeve në system”.
“Paralelisht, për të parandaluar përshkallëzimin e devijimeve dhe ndikimin negativ në sistemin interkonektiv evropian, si dhe për të mbrojtur stabilitetin e Zonës së Kontrollit të Kosovës, KOSTT, në ushtrim të kompetencave të tij operative dhe në përputhje me Kodin e Balancimit, ka dhënë instruksione për kufizime të përkohshme të energjisë në disa zona të rrjetit. Këto masa kanë për qëllim menaxhimin e situatës dhe shmangien e pasojave serioze ndaj sistemit dhe obligimeve ndërkombëtare të Kosovës në kuadër të ENTSO-E”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
ZRRE e konsideron situatën me “interes të lartë dhe me implikime të drejtpërdrejta për sigurinë energjetike të vendit”.
ZRrE ka paralajmëruar edhe masa ndaj operatorëve që i shkaktuan devijimet.
“ZRRE është duke vlerësuar sjelljen e palëve të licencuara dhe, në përputhje me rrethanat faktike, do të ndërmarrë të gjitha masat e parashikuara me legjislacionin në fuqi”.

KOSTT ngre alarmin: Nga devijimet e shkaktuara prej KESCO-s në rrjetin interkonektiv evropian, po rrezikohet marrëveshja e Kosovës me ENTSO

Alarmi i KOSTT-it për devijimet: Lajmërohet KESCO, thotë së po përballet me kufizim të ‘kapaciteteve ndërkufitare’