Si përherë, ka mospërputhshmëri të theksuar të vlerësimeve për situatën ekonomike në vend nga ana e pushtetit dhe opozitës, por edhe ndërmjet njohësve të zhvillimeve ekonomike, varësisht nga cili taborr politik vijnë.
Buletini Ekonomik
Gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e favorshme në këtë fillim vit, madje sipas vlerësimeve të institucioneve kompetente ndërkombëtare, disa indikatorë financiarë dhe makroekonomik janë duke u përkeqësuar edhe krahasuar me vitet paraprake.
Ndërkohë, si përherë, ka mospërputhshmëri të theksuar të vlerësimeve për situatën ekonomike në vend nga ana e pushtetit dhe opozitës, por edhe ndërmjet njohësve të zhvillimeve ekonomike, varësisht nga cili taborr politik vijnë.
Autoritetet (Kurti, Rizvanolli, Murati, Muja dhe të tjerë) – në të gjitha rastet kur paraqiten në publik, por edhe në konferenca ndërkombëtare dhe në ato brenda për brenda vendit flasin për rritje, stabilitet dhe madje edhe për rekorde në ekonomi e zhvillim në vend, ndërsa opozitarët, por edhe njohësit e zhvillimeve ekonomike nga gjiri i opozitës flasin në shumë raste, duke u mbështetur edhe në disa vlerësime të asociacioneve ndërkombëtare financiare, për përkeqësim të gjendjes ekonomike në Kosovë, duke e lidhur atë drejtpërdrejt edhe me rënien e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Disa indikatorë financiarë dhe makroekonomikë janë duke u përkeqësuar,” deklaroi lideri i PDK-së këto ditë, duke shtuar se “edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes misionit sipas nenit 4, ka evidentuar përkeqësim në balancat kryesore”. “Nëse i referohemi edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbi bazën e nenit katër që vijnë e bëjnë rishikimin, del që deficiti i llogarisë rrjedhëse u përkeqësua, deficiti tregtar u përkeqësua,” tha Bedri Hamza.
Ai e lidhi ngadalësimin ekonomik me funksionimin institucional. “Rritja ekonomike, si rezultat i bllokadave institucionale, ka rënë nën 4 për qind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar,” u shpreh ai.
Ai u shpreh edhe për presionin e çmimeve mbi familjet kosovare. “Inflacioni ka vazhduar me u rrit dhe në janar ishte 5.8 për qind në raport me periudhën paraprake. Po vazhdon rëndimi i standardit të jetesës”, tha Hamza, i cili ka kritikuar edhe politikën fiskale. “Buxheti i ri nuk e ka reflektuar strukturën e ekonomisë të Kosovës,” deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, qasja aktuale buxhetore nuk po e adreson realitetin ekonomik me të cilin përballen qytetarët dhe bizneset.
Dardan Sejdiu, ekonomist dhe ish-anëtar i VV-së, ishte shumë më i ashpër në përshkrimin e rrjedhave të zhvillimeve ekonomike së fundmi në vend.
Sipas tij, në vitin 2025, importet na shkuan rreth 7.0 miliardë euro. Nga ana tjetër, eksporti mezi e prek “nën një miliard. Ose, deficiti tregtar i vitit 2025 del mbi 6 miliardë euro! “Kjo është ajo gropa e madhe ku humbin pagat, investimet e vendet e punës. Nuk është “statistikë”, është rrjedhje e përditshme e parave jashtë”, vlerëson ai.
Duke u thirrur në të dhëna të GAP-it Sejdiu e vlerëson si paralizë sociale faktin se “nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, rreth 613 mijë konsiderohen ekonomikisht joaktivë. Prej tyre, 402,847 janë gra (66%). 78 mijë të rinj janë as në punë, as në shkollë, as në trajnim. “Ky është alarm, jo statistikë e thatë! Kur gjysma e fuqisë së vendit rri jashtë tregut, “mungesa e punëtorëve” nuk është mister, është pasojë”.
Ai vazhdon të radhisë shifra të tjera për “Kosovën reale, jo Kosovën e konferencave’: Në qershor 2025, skema e asistencës sociale i kishte 16,759 familje (65,026 anëtarë). Por, skema e subvencionimit të rrymës përfshin afër 90,000 familje – pra afër 350,000 qytetarë që përkrahen me u nxe dimrit. 350,000 duhet me i përkrah me nxemje, 65,000 me bukë. Këtu e sheh Kosovën reale, jo Kosovën e konferencave. Sipas Sejdiut, në vend ka falimentim të dijes: Arsimi i hershëm mbetet i ulët, vetëm 36.8% e fëmijëve 3–5 vjeç janë të regjistruar në parashkollor. Shumica e 15-vjeçarëve kanë vështirësi me leximin bazë dhe detyra të thjeshta logjike. Pa këto, s’ka produktivitet as ekonomi moderne. Duke e ilustruar me numra përkeqësimin e gjenjes ekonomike dhe në numrimin e fakteve për të demantuar “mburrjet” e pushtetarëve për të arriturat ekonomike, Sejdiu e apostrofon edhe të dhënat e IKSHPK, sipas të cilave, rreth 1,150 vdekje në vit në Kosovë i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit. Kjo është kosto njerëzore, jo vetëm mjedisore.
Dhe mbi këtë, nga 1 maji 2025, faturat e rrymës u rritën mesatarisht për 16%. Tregu i energjisë për biznese po funksionon si treg i detyrueshëm pa konkurrencë: çmimet raportohet se janë trefishuar. Prodhuesit vendorë e humbën garën me importin, e konsumatori e paguan përmes çmimeve më të larta. Në fund Sejdiu ka thënë se “është koha e fundit që kjo parti në pushtet të nisë një dialog të vërtetë me realitetin! Është koha me folë troç se si po dalim prej këtij qorrsokaku ku propaganda e qeverisë fluturon në qiell, e jetesa e qytetarit ka ra në grope”.
Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Avdullah Hoti ka apostrofuar disa nga vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN) nga misioni dyjavor mbikëqyrës në Kosovë (më 13 shkurt 2026, misioni i FMN-së nga Uashingtoni e përmbylli vizitën dyjavore mbikëqyrëse në Kosovë në kuadër të konsultimeve sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së), përmes një postimi në rrjetin social në Facebook. Sipas vrejtjeve të FMN, të shpërfaqura nga Hoti, rritja ekonomike ka rënë në 3.25 për qind në fund të çerekut të tretë të vitit 2025, nga 4.75 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo ka ardhur si rezultat i dobësimit të konsumit dhe investimeve private për shkak të ngadalësimit të aktivitetit kreditor dhe të të ardhurave reale. Rritja ekonomike sivjet pritet të shkojë në 3.8 për qind dhe eventualisht të konvergojë me normën e rritjes potenciale prej 4 për qind. Inflaioni në dhjetor 2025 u rrit në 5.25 për qind, krahasuar me një vit më parë kur ishte vetëm 1.1 për qind. Kjo rritje erdhi për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Bilanci tregtar është përkeqësuar për shkak të rritjes së importeve, sidomos të importit të energjisë. Si rezultat, është zgjeruar deficiti i llogarisë rrjedhëse me jashtë në 9.6 për qind të vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto, nga 8.4 për qind sa ishte në 2024. Ndërsa pagat në sektorin publik duhet të ndërlidhen me normën e inflacionit, kurse paga minimale duhet të përcaktohet duke balancuar produktivitetin e punës dhe koston e jetës. Te shpanzimet në mallra dhe shërbime duhet të identifikohen mundësitë për kursime. Kreditë bankare kanë arritur nivelin prej 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, që është ndër më të lartat në vendet evropiane me ekonomi në zhvillim, të cilat duhet të mbikëqyren në veçanti sa i përket ekspozimit të bankave ndaj sektorit të patundshmërive. Në këtë kontekst, duhet të ndërmerren masa për të mbikëqyrur këto lloj institucionesh financiare jobankare, në mënyrë që të ruhet integriteti i sistemit financiar, të mbrohen klientët, si dhe të zbatohen praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim.
Hoti ka thënë se mungesa e investimeve publike për vite me radhë, duke i lënë përgjysmë tash e pesë vite të gjitha arteriet kryesore të infrastrukturës rrugore, e ka kufizuar rritjen ekonomike. Sipas tij, është harruar plotësisht infrastruktura hekurudhore, që është vitale për të ulur kostot e transportit dhe për të mbrojtur rrugët dhe autostradat nga dëmtimi. Jo vetëm që nuk janë ndërtuar linja të reja hekurudhore, por edhe linjat ekzistuese nuk janë mirëmbajtur dhe funksionalizuar. Njëra nga këto linja, ajo që lidh Klinën me Prizrenin, pothuajse ka dalë nga funksioni për shkak të disa intervenimeve të vogla që kanë munguar tash e sa vite. Mungesa e plotë e politikave fiskale, në veçanti e politikave industriale, ka bërë që prodhimi vendor të ngecë. Si rezultat, rritja e konsumit privat dhe publik me kalimin e viteve është mbuluar pothuajse plotësisht nga importi, i cili është dyfishuar në katër vitet e fundit, duke arritur në 7 miliardë euro. Struktura e importit nxjerr më së miri në pah mungesën e prodhimit vendor të mallrave elementare. Prodhimi i disa prej këtyre mallrave elementare, për të cilat importi po rritet, subvencionohet nga buxheti i shtetit. Sipas Hotit ka munguar edhe përshtatja e pagave, pensioneve dhe skemave sociale me normën e inflacionit duke e zvogëluar jashtëzakonisht shumë fuqinë blerëse. Shtesat e njëhershme të pensioneve dhe skemave të tjera nuk e kanë zgjidhur problemin e rënies së fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve nga inflacioni. Këto lloj shtesash duken qartësisht se kanë pasur motive elektorale. Ndërkohë, menaxhimi i keq i shpenzimeve publike ka bërë që në vazhdimësi të vonohen subvencionet për bujqit, të cilët detyrohen të marrin kredi për inputet bujqësore. Në fund Hoti shtron çështjet psee lejohen institucionet mikrofinanciare të japin kredi për familje me interes prej 21.7 për qind dhe për bujq me 16.3 për qind (sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës), dhe përse sektori financiar në Kosovë mbetet tejet i pazhvilluar, duke qenë i fokusuar vetëm në kredidhënie si dhe përse sektori i sigurimeve ka mbetur i fokusuar vetëm në sigurimet e detyrueshme?











