Kriza e naftës zbeh rolin e ndërtimtarisë në rritjen ekonomike të vendit

Sektori i ndërtimit në Kosovë, i cilësuar për shumë vite si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe si një tregues i rëndësishëm i nivelit të investimeve në vend, pas krizës së çmimeve të karburanteve do ta presin ditë të zymta dhe në këtë mënyrë druhet se nuk do të jetë garantues në vijimësinë e rritjes ekonomike të vendit, siç ishte deri tani vite me radhë. Sektori i ndërtimit në Kosovë vështirë se do të jetë gjenerues i të ardhurave siç ishte, dhe nuk do të ketë ndikimin e padiskutueshëm në punësim dhe paga.

Buletini Ekonomik

Në Kosovë, sipas analizave të para sipërfaqësore, ndër sektorët që do të goditen më së shumti nga kriza e çmimeve të naftës do të jetë sektori i ndërtimtarisë, që është sektori me më shumë të punësuar, me më shumë të hyra dhe me më shumë përfitime të tjera nga pronarët dhe nga shteti. Me fjalë të tjera, pos ngritjes së theksuar të çmimeve të disa produkteve të shportës, të produkteve elementare ushqimore dhe shumë produkteve dhe shërbimeve të tjera si pasojë e ngritjes së çmimit të karburanteve, hovi i shtrenjtimit dhe paralajmërime të ngutshme për çmime të reja të ngritura kanë mbërritur pa vonuar edhe nga sektori i ndërtimtarisë.

Reklama e sponzorizuar

Ndër agjencitë e shitblerjes së paluajtshmërive, por edhe zyrtarë të Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, duke përmendur çmimet e ngritura ndjeshëm të karburanteve në tregjet ndërkombëtare dhe në tregun e vendit, paralajmërojnë ngritje çmimesh të hekurit (armaturës), një nga produktet më me ndikim në ecuritë e kostos në sektorin e ndërtimit. Sipas tyre, tashmë është paralajmëruar nga shumë prodhues ngritje e çmimit të hekurit deri në 40 për qind. Çmimi i hekurit brenda muajit të fundit (gjysmës së dytë të marsit dhe gjysmës së parë të prillit) edhe në Kosovë ka një tendencë rritjeje rreth 4-5 për qind brenda një jave. Mirëpo, pronarë të kompanive ndërtuese, në kushte të anonimitetit i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ka nisur ngritja e çmimeve edhe të materialeve të tjera të domosdoshme për ndërtim, siç janë produktet nga duralumini, nga plastika, por edhe të çimentos dhe domosdo edhe të betonit.

Ndërkohë që është e ditur se kostoja e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimit në Kosovë është ngritur në përmasa me ndikim të madh në çmimin final të ndërtimeve (të banesave, të ambienteve afariste në kuadër të ndërtesave me banesa), qëkur është bërë liberalizimi i vizave edhe për Kosovën. Ndërtimtarët e Kosovës frikohen se si pasojë e krizës së çmimeve të naftës së shpejti do të pasojë ngritje enorme e çmimit të betonit. Ka paralajmërime se çmimi i deritanishëm i një metri kub të betonit prej 70 euro të shkojë në 100 euro. Dhe kjo ngritje, sipas tyre, nuk është një ngritje sa për të qenë, ose e pa ndikim në koston e gjithmbarshme të ndërtimit final. Bëhet fjalë për çmim të ngritur afërsisht 50 për qind. Këto çmime të ngritura dhe të paralajmëruara që të ngriten akoma më shumë janë, që tani, një presion evident mbi koston e prodhimit final të ndërtimtarëve. Por, gjithsesi, do të lëkundin edhe më shumë trendet dhe balancat e tregut të shitblerjes së patundshmërive, duke sinjalizuar një rritje të re të pashmangshme të çmimeve për metër katror të ndërtimeve.

Një ndërtimtar i njohur i vendit, që kërkon anonimitet, i ka thënë Buletinit Ekonomik se pasojat e çmimeve të karburanteve janë evidente në sektorin e ndërtimit në Kosovë. Sipas tij, tani është frenuar ndjeshëm trendi i ndërtimeve të shumta. Është reduktuar shumë vëllimi i ndërtimeve të reja në Prishtinë dhe në shumë qendra të tjera urbane të vendit. Thjesht, për shkak të çmimeve të ngritura të materialeve të ndërtimit, që kanë kushtëzuar ngritjen e domosdoshme të metrit katror të banesave, ka rënë ndjeshëm edhe shitblerja e banesave. Në këto ditë të krizës së naftës, sipas ndërtimtarit, nuk ka thuajse fare shitblerje të paluajtshmërive.

Sipas një ndërtimtari tjetër, i njohur për ndërtime të shumta në Prishtinë dhe në qendrat e tjera komunale përreth kryeqytetit, që e kërkon po ashtu anonimitetin, në Prishtinë qëkur ka filluar lufta në Lindjen e Mesme dhe qëkur janë shpërfaqur pasojat e para të kësaj lufte, ndërtimtaria praktikisht është e heshtur dhe nuk ka ndonjë punishte të madhe duke u ndërtuar diçka. Sipas tij, po punohet aty-këtu në disa objekte të nisura më herët si rrjedhojë e përfshirjes direkte të sektorit të ndërtimtarisë në krizën e çmimeve të naftës.

Edhe këtyre ditëve janë të pakta punishtet dhe projektet në ndërtim, ku së paku deri tani ishin të angazhuar me dhjetëra, madje edhe me qindra punonjës dhe dhjetëra nënkontraktorë. Çështje në vete te ndërtimtarët e vendit, gjithsesi, në ditët në vijim do të jenë çmimet e ndërtimeve. Se ku do të arrijnë çmimet e një metri katror të ndërtimeve të reja pas valës më të fundit të ngritjes së çmimeve të materialeve kryesore të ndërtimit, tani për tani nuk ka përgjigje as nga ndërtimtarët, as nga vrojtuesit e tregut të ndërtimeve në vend. Por të gjithë e theksojnë faktin se të gjitha çmimet e ngritura këtyre materialeve dhe ato të paralajmëruara për t’u ngritur së shpejti janë pashmangshëm pjesë e kostos së pritshme të një niveli tjetër të një metri katror ndërtimi të finalizuar.

Dhe këto janë pasojat e krizës së çmimeve të naftës, nga të cilat ekspertë dhe njohës të ecurive në ndërtimtarinë e vendit shprehin frikë se sektorin e ndërtimit në Kosovë, i cilësuar për shumë vite si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe si një tregues i rëndësishëm i nivelit të investimeve në vend, do ta presin ditë të zymta dhe në këtë mënyrë druhet se nuk do të jetë garantues në vijimësinë e rritjes ekonomike të vendit, siç ishte deri tani vite me radhë.

Sektori i ndërtimit në vend, i përfshirë dhe i ndikuar ndjeshëm nga kriza e çmimeve të naftës, vështirë se do të jetë gjenerues i të ardhurave, nuk do të ketë në përmasat që kishte me vite të tëra as ndikimin e padiskutueshëm në punësim dhe paga. Në këtë mënyrë, domosdo shtrohet pyetja se në muajt në vijim a do të jetë në gjendje sektori i ndërtimit në Kosovë të vazhdojë të mbetet i lidhur ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe të vazhdojë ta ketë ndikimin dhe të kontribuojë në mirëqenien e qytetarëve. /Buletini Ekonomik/