Ndër vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë gjatë marsit të këtij viti janë Rumania me 9 për qind, Kosova me 6.5 për qind, Islanda me 5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 4.9 për qind. Saktësisht i bie që Kosova rangohet në vendin e dytë në Europë sa i përket lartësisë së inflacionit në muajin mars, që i bie, dhe që Kosova zë vendin e dytë në kontinentin e vjetër edhe për nga rritja e çmimeve.
Buletini Ekonomik
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni mesatar në Europë në muajin mars të këtij viti përllogaritet të jetë diku rreth 2.8 për qind. Ndër vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë gjatë marsit të këtij viti janë Rumania me 9%, Kosova me 6.5%, Islanda me 5% dhe Maqedonia e Veriut me 4.9%. Saktësisht i bie që Kosova rangohet në vendin e dytë në Europë sa i përket lartësisë së inflacionit në muajin mars, që i bie, po kështu, që gjatë marsit Kosova zë vendin e dytë në kontinentin e vjetër edhe për nga rritja e çmimeve.
Po sipas të dhënave zyrtare – Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, në Shqipëri në muajin mars të këtij viti çmimet janë ngritur në 2.6 për qind, dhe njëkohësisht inflacioni sipas “INSTAT” për të njëjtën periudhë fiksohet po në të njëjtën normë (2.6 për qind). Këto të dhëna e pozicionojnë Shqipërinë me inflacion më të ulët se mesatarja europiane gjatë marsit të 2026-ës dhe tregojnë se çmimet në Shqipëri janë më të lira se mesatarja europiane.
Njëkohësisht, të dhënat tregojnë se çmimet dhe inflacioni në Kosovë në muajin mars ishte praktikisht mbi dyfishin e mesatares në Europë dhe në Shqipëri.
Ndërkohë, nga ana tjetër, sipas shifrave, inflacioni në muajin mars shfaqet më i lartë se në muajin shkurt pothuaj në të gjitha vendet, kjo për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
Ndërsa, siç po shihet nga të dhënat e muajit mars (inflacioni dy herë e më shumë se sa në Shqipëri), është rrjedhojë kryekëput e shpërthimit të çmimeve në muajin e shkuar, duke filluar nga çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe për të arritur kulmin e ngritjes me çmimet e karburanteve.
Po e përsërisim se, sipas të dhënave më të fundit, inflacioni vjetor në muajin mars në Kosovë ka arritur në 6.7%, ndërsa inflacioni mujor është regjistruar në 1.5% krahasuar me muajin shkurt. Rritja mujore është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve, nga rritja e çmimeve të transportit, si dhe nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore si perimet, mishi dhe pemët.
Domosdo, ndikim në indeksin e përgjithshëm të çmimeve në muajin e shkuar ka pasur rritja enorme e çmimit të karburanteve.
Gjatë më shumë se një muaji të luftërave në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës së papërpunuar në Kosovë është rritur deri në gati 50 për qind për një litër. Kjo rritje është rrjedhojë e gjendjes së krijuar në tregjet globale dhe europiane të karburanteve, si pasojë e krizës së naftës, e krijuar nga luftërat SHBA, Izrael kundër Iranit dhe, domosdo, pasojë e varshmërisë së tërësishme të Kosovës nga importet e naftës.
Është bërë goxha e diskutueshme masa e ndërmarrë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në përpjekje për të kontrolluar tregun, me ç’rast, siç dihet, është përcaktuar një marzhë maksimale e fitimit për derivatet e tregtuara të naftës, duke kufizuar kështu hapësirën e fitimit për tregtarët. Është përcaktuar tashmë, në një farë mënyre, çmimi tavan për tregtimin e naftës në vend.
Ndërkohë, efekti i kësaj mase nuk është edhe aq i dukshëm tani për tani tek bizneset, konsumatorë të mëdhenj të naftës. Shumë zëra nga bizneset (sektori më i prekur nga shtrenjtimi i derivateve të naftës në Kosovë është ai i prodhimit) thonë se kjo masë nuk është e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostove të prodhimit nga çmimet e ngritura të naftës.
Ndërkohë, në Kosovë, në këto ditë krize, vështirë se mund të frenojë ndokush ngritjen enorme dhe, në shumë raste, të egër të çmimeve të shumicës së produkteve, e sidomos të atyre të domosdoshme për mbijetesë.
Ndaljen e rritjes zinxhir të çmimeve në këto ditë krize, siç parashikojnë njohës të zhvillimeve ekonomike, nuk mund ta bëjë as Ligji për çmimet tavan, i miratuar këto ditë nga institucionet vendimmarrëse të vendit.
Me fjalë të tjera, edhe në Kosovë rritja e çmimit të naftës, e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, vazhdon ta ketë efektin e pandalshëm zinxhir në treg, duke ngritur në qiell çmimet e shumë produkteve, edhe të atyre bujqësore, kryesisht të importuara aktualisht. Prandaj, që tani në tregun e vendit, kanë zënë të tejkalohen dhe të thyhen rekorde të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore të importuara.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritje të ndjeshme të çmimeve janë shënuar edhe në një varg produktesh dhe shërbimesh, ndërsa çmimet e rritura që patën ndikim më të theksuar në nivelin e çmimeve të ngritura, sipas ASK-së, janë sektori i transportit (shërbimet që lidhen me pajisje të transportit personal, që ka shënuar rritje 42.5 për qind), furnizimi me ujë (dihet ngritja mbi 40 për qind e çmimit të ujit në Kosovë muaj më parë), shërbimet që lidhen me banimin, gjithsesi karburantet me çmimet e shkuara në stratosferë pas luftërave në Lindjen e Mesme (çmimi i naftës së papërpunuar në Kosovë është rritur përafërsisht gati 50 për qind për një litër).
Ndikim të padiskutueshëm në përmasat e inflacionit në mars, ndër më të lartit në Europë dhe në rajon, patjetër që patën çmimet e ngritura të produkteve ushqimore dhe të atyre elementare të përditshme. Çmimet e ngritura në këto nivele në Kosovë po dëshmojnë se kostoja e jetesës në vend është bërë thuajse e barabartë me nivelet e shteteve anëtare të BE-së, ndërkohë që pagat dhe pensionet kanë ngecur në nivelet ndër më të ultat në Europë dhe më gjerë.
Paga mesatare në Kosovë vijon të jetë më e ulëta në rajon, dhe ky fakt e bën edhe më të ndjeshme rritjen e çmimeve. Ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit dhe të asociacioneve të ndryshme që trajtojnë situata sociale në vend, për gjendjen e krijuar sociale nga çmimet e shfrenuara gjithnjë e më zëshëm po e shfaqin shqetësimin e tyre. Sipas tyre, rritja e inflacionit po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve, duke i detyruar ata të paguajnë më shumë dhe të konsumojnë më pak.
Ekonomistët druajnë se pasojat e çrregullimit dhe lëkundjes aktuale të paqes sociale do të shihen më shumë më pastaj në Kosovën e varfër financiarisht dhe pa politika e strategji të mbrojtjes sociale të qytetarëve të vet. Kosovarët do ta kenë, gjithsesi, më të vështirë mbijetesën, si pasojë e kaosit të krijuar nga ngritja në qiell e çmimeve, sidomos shtresat e varfra të vendit, që janë numerikisht të shumta. /Buletini Ekonomik/











