Sivjet në sektorin e ndërtimit në Kosovë janë ngritur ndjeshëm çmimet e kostos së ndërtimit, çmimet e tokave me koncesion (të tokave të cilat ndërtuesit ose i blejnë me para të gatshme, ose i marrin me koncesion, duke e kompensuar çmimin me hapësirë banimi për pronarët e tokave), ndërsa tani, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, del se kanë shkuar në qiell sërish çmimet e pronave të banimit gjithandej vendit.
Buletini Ekonomik
Sektori i ndërtimit në Kosovë ka muaj që ka nisur të vuajë pasojat e krizës së krijuar nga ngritja e çmimeve pothuajse në të gjithë faktorët me ndikim në stabilitetin afarist të këtij sektori.
Më konkretisht, sivjet në sektorin e ndërtimit në Kosovë janë ngritur ndjeshëm çmimet e kostos së ndërtimit, çmimet e tokave me koncesion (të tokave të cilat ndërtuesit ose i blejnë me para të gatshme, ose i marrin me koncesion, duke e kompensuar çmimin me hapësirë banimi për pronarët e tokave), ndërsa tani, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, del se kanë shkuar në qiell edhe çmimet e pronave të banimit gjithandej vendit.
Sipas të dhënave të ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2026, çmimet e pronave të banimit janë rritur. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 2.4 për qind.
Sipas ASK-së, në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 1.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Ndërsa në rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 12.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar kohë më parë edhe Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilit sektori i ndërtimit ka shënuar rritje si në baza tremujore, ashtu edhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i kostos së ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.
Rritjen më të madhe në këtë periudhë e kanë shënuar kostot e transportit me 5.9 për qind, pasuar nga pagat me 2.8 për qind, kostot e tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind.
Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, indeksi i kostos së ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.3 për qind.
Sipas të dhënave, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur kostot e transportit, të cilat janë rritur për 11.5 për qind. Po ashtu, janë rritur pagat për 8.6 për qind, kostot e tjera për 6.2 për qind, energjia për 5.5 për qind, materialet për 3.2 për qind dhe makineritë për 0.7 për qind.
Duhet thënë se rritja e kostove të ndërtimit në tre muajt e parë të sivjetshëm është nxitur më së shumti si rrjedhojë e shpenzimeve në kostot e transportit (11.5 për qind) dhe kompensimit të fuqisë punëtore. Shpenzimet për paga në muajt janar-mars shënuan rritje të lartë me 8.6 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Ndërkohë, trendi i rritjes së pagave ka vazhduar edhe në muajt vijues në ndërtimtarinë e vendit, si mënyrë pothuajse e vetme për të siguruar numrin e nevojshëm të punëtorëve nga ndërtuesit.
Ecuritë e tashme nëpër punishte të shumta të ndërtimtarëve kosovarë tregojnë se mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e pagave do të vazhdojnë të rrisin kostot e kompanive të ndërtimit.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i ndërtimit vazhdon të përballet me rritje të kostove në shumicën e kategorive kryesore, duke reflektuar presionet në çmimet e materialeve, fuqinë punëtore dhe shërbimet mbështetëse.
Në këtë mënyrë, kostoja e ndërtimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen enorme të çmimit të një metri katror të banesave dhe të hapësirave biznesore.
Tani, si pasojë e këtyre zhvillimeve në ecurinë e këtyre çmimeve, janë ngritur shumë edhe çmimet e metrit katror të banesave dhe të hapësirave biznesore.
Kështu, aktualisht, çmimet e një metri katror në lagjet e reja të ndërtimit në Prishtinë, si në rrugën B dhe C, kanë arritur në 2 mijë euro, ndërsa në lagjet më pranë qendrës, si bie fjala te lagjja e Muhaxherëve, çmimi i një metri katror ka tejkaluar 2 mijë euro.
Më në Prishtinë është vështirë të gjesh çmimin e një metri katror nën 1200-1500 euro.
Ngritje çmimesh të banesave dhe të hapësirave biznesore tani po ndodhin edhe në qendrat e tjera komunale, përkundër faktit se ka rënie, madje në përmasa goxha shqetësuese, të shitblerjes së banesave.
/Buletini Ekonomik









