Inflacioni në Kosovë arrin në 6.8 për qind, transporti dhe energjia me ndikimin më të madh

Inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 6.8 për qind në muajin maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, rritja e përgjithshme e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 14.1 për qind, si dhe i kategorisë së strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13.2 për qind.

Rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe te pijet alkoolike dhe duhani (5.6 për qind), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5.3 për qind), ushqimet dhe pijet joalkoolike (5.1 për qind), shëndetësia (4.1 për qind), si dhe mobiliet dhe pajisjet shtëpiake (3.6 për qind).

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit, çmimet janë rritur gjithashtu në kategoritë e kujdesit personal dhe shërbimeve të ndryshme (3.0 për qind), rekreacionit, sportit dhe kulturës (2.7 për qind), veshmbathjes dhe këpucëve (2.4 për qind), ndërsa sektori i informacionit dhe komunikimit ka shënuar rritje më të lehtë prej 0.2 për qind.

Në anën tjetër, shërbimet arsimore kanë qenë kategoria e vetme që ka shënuar rënie vjetore të çmimeve, me 0.6 për qind.

Megjithatë, në baza mujore, krahasuar me prillin 2026, inflacioni ka shënuar rënie prej 0.4 për qind. Sipas ASK-së, kjo është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport, energji dhe strehim, si dhe në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike. /Buletini Ekonomik/