Investimet në Kosovë, Kusari-Lila në takim me KUSA dhe Ambasadën e SHBA-së

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një tryezë diskutimi për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, e organizuar nga `KUSA Economic Growth and Integration with the West Team`, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Kusari-Lila ka thënë se ishte kënaqësi e veçantë rikthimi në diskutim me KUSA (Kosova United States Alumni), organizatën që bashkon përfituesit e programeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilën ajo, së bashku me bursistë të tjerë, e ka themeluar 18 vjet më parë.

Sipas saj, gjatë tryezës është bashkëbiseduar edhe me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe me anëtarët e KUSA-s, për mundësitë konkrete të forcimit të klimës së investimeve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka theksuar se Kosova ka popullsi të re dhe dinamike, diasporë të fuqishme, orientim të qartë euro-atlantik dhe potencial në sektorë si prodhimi, energjia, bujqësia, turizmi, inovacioni dhe shërbimet.

Ministrja ka shtuar se fokusi mbetet promovimi i Kosovës si destinacion atraktiv për investime dhe krijimi i kushteve për realizimin e projekteve me procedura të qarta, transparencë dhe mbështetje institucionale.

Në fund, Kusari-Lila ka falënderuar anëtarët e KUSA-s dhe Ambasadën Amerikane për kontributin me ide, përvoja dhe rekomandime konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit.