Blerjet online në Kosovë, konsumatorët të pambrojtur nga mashtrimet

Konsumatorët që blejnë online në Kosovë mbeten në masë të madhe të pambrojtur. Në rastet kur bien pre e mashtrimeve, marrin produkte të ndryshme nga ato që kanë porositur ose përballen me shitës që zhduken pas pagesës, ata shpesh kanë pak ose aspak mbështetje efektive institucionale për të kërkuar të drejtat e tyre. Pra në rast të mashtrimeve të mundshme, qytetarët kanë gjasa të mbeten pa zgjidhje institucionale, pasi mekanizmat për mbikëqyrjen dhe trajtimin e ankesave në tregtinë elektronike vazhdojnë të mos kryejnë punën e tyre.

Buletini Ekonomik

Derisa tregtia përmes rrjeteve sociale po rritet, konsumatorët në Koosvë shpesh mbeten pa adresë të qartë ankese kur përballen me mashtrime, produkte të gabuara apo shitës që vetëm zhduken pas pagesës.

Në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë, konstaohet se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut nuk ka mekanizma të posaçëm për mbikëqyrjen e tregtisë elektronike, duke i lënë qytetarët të ekspozuar ndaj mashtrimeve online.

Auditimi nga ZKA tregon se gjatë viteve 2022–2024, një pjesë e konsiderueshme e ankesave të konsumatorëve lidhej me blerjet përmes internetit, përfshirë edhe rastet nga shitës të paautorizuar në rrjete sociale. Nga 76 mostra të shqyrtuara nga auditorët, rreth 30 për qind kishin të bënin me blerje online. Në këto raste, qytetarët kishin raportuar mashtrime, produkte që nuk përputheshin me atë që ishte porositur, refuzim të kthimit të mallit, si dhe mosrespektim të garancionit.

Shqetësues mbetet fakti se edhe kur ankesat pranohen nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë (MINT) dhe përcillen te Inspektorati i Tregut, trajtimi i tyre shpesh mbetet i kufizuar. Arsyeja kryesore, sipas raportit, është mungesa e informacionit të plotë për identitetin e shitësve, të cilët shpesh veprojnë vetëm përmes profileve në Facebook apo Instagram, pa adresë zyrtare dhe pa regjistrim të qartë biznesor.

ZKA konstaton se Inspektorati nuk ka strategji apo strukturë të dedikuar për tregtinë elektronike dhe nuk kryen inspektime proaktive në këtë fushë. Në vend të mbikëqyrjes së rregullt të tregut online, institucionet reagojnë kryesisht vetëm pasi konsumatorët paraqesin ankesa individuale.

Raporti gjithashtu ngre shqetësim edhe për mungesën e bashkëpunimit të qartë me Policinë e Kosovës. Nga mostrat e analizuara, auditorët nuk kanë identifikuar raste të mashtrimeve online që janë proceduar penalisht, pavarësisht dyshimeve për shkelje më serioze.

Sipas ZKA-së, mungesa e trajnimeve, mosadaptimi i institucioneve me zhvillimet e tregut digjital dhe kuadri ligjor i papërditësuar kanë bërë që Kosova të mos ketë mekanizma efektivë për mbrojtjen e konsumatorëve në blerjet online. Si pasojë, shumë ankesa mbeten të pazgjidhura, konsumatorët vazhdojnë të jenë të pambrojtur, ndërsa besimi në tregtinë elektronike vazhdon të zbehet. /Buletini Ekonomik/