“Autostrada e Paqes”, siç u quajt rruga e cila duhet ta lidhë Nishin me Prishtinën, fillon të ndërtohet vitin e ardhshëm edhe pse më herët është premtuar se ky projekt do të përfundojë në vitin 2020. Serbia tani ka siguruar vetëm një pjesë të parave për financim. “Autostrada e Paqes” do të ndërtohet me kredi, dhe do të kushtojë 920 milionë euro.
“Dokumentacioni i projektit për autostradën Nish-Merdarë-Prishtinë do të jetë gati në fillim të vitit 2017. Pastaj pason ndërtimi i cili do të përfundojë në vitin 2020”. Kështu para tri vjetëve pati deklaruar ministrja serbe e komunikacionit Zorana Mihajlloviq mbi ndërtimin e “Autostradës së Paqes”.
Autostrada ende as që ka filluar të ndërtohet, ndërsa qeveria e Serbisë tani i ka nënshkruar vetëm dy kontrata me të cilat do të financohet një pjesë e ndërtimit.
“Kjo autostradë nuk është e rëndësishme vetëm për zhvillim ekonomik, nuk është e rëndësishme vetëm lidhja e disa rajoneve në vendin tonë, por është e rëndësishme edhe politikisht. Nuk ka zhvillim të asnjë shteti nëse nuk lidhemi, pavarësisht se a duhemi apo nuk duhemi nga njëra apo tjetra anë e kufirit”, ka thënë ministrja e komunikacionit Zorana Mihajlloviq.
“Sot është i rëndësishëm një hap i vogël, por hap shumë i madh në kontestin e lidhjes së rajonit. Unë besoj se lidhja do të thotë paqe, përparim dhe shpresë. E di se kjo ishte detyrë e vështirë dhe do të doja të përkulem para të gjithë atyre të cilët kanë marrë pjesën në këtë”, ka deklaruar komisionarja evropiane për transport Violeta Bulc.
Mirëpo nuk janë të gjithë të gëzuar siç ishin nënshkruesit e kontratës. Opozita në Serbi viteve të fundit e ka kritikuar ashpër ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë, e cila më tutje vazhdon deri në portin shqiptar Durrës.
Vuk Jeremiq ka thënë se kjo autostradë mund të jetë “kurrizi i Shqipërisë së Madhe”, ndërsa Dragan Gjillas ka deklaruar se njerëzit të cilët shkojnë nga Kurshumlia një autostradë nuk do t’i ndalë. Një pjesë tjetër e opozitës ka kërkuar që projekti të ndërpritet menjëherë. /Insajderi/