Gashi i kërkon MD-së ta dorëzojnë ekspertizën për Deharin, thotë se u njoftua nga Instituti zviceran se ka përfunduar

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se Ministria e Drejtësisë tashmë ka pranuar raportin e Institutit zviceran për hetimin e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit në burg.

Tomë Gashi ka publikuar një letër që ia ka dorëzuar ministrit në detyrë Abelard Tahiri, në të cilën i kërkon të dijë pse nuk po u jepet qasje familjes në këtë raport.

“Ky institut zyrtarisht më ka njoftuar më 8 tetor se ekspertiza në rastin e të ndjerit Astrit Dehari ka përfunduar dhe këtë javë është dorëzuar tek autoritetet përkatëse që kanë kërkuar atë. Kërkoj urgjentisht që të na dorëzoni këtë raport”, thuhet në letrën e Gashit dorëzuar MD-së, raporton Arta TV.

Reklama e sponzorizuar

Avokati Gashi ka vënë në dyshim edhe rrethanat e vdekjes së Deharit duke publikuar disa pjesë nga dorëshkrimet e tij në burg, sipas të cilave, ai parashikonte se Vetëvendosje do të fitonte zgjedhjet në 2019.

“Astrit Erdhi Dita…! Tani po dihet pse e vranë…! Sepse ai e dinte edhe nga burgu se do të vij dita në 2019, këtë ai e parashikoj edhe në fletoren e tij të burgut, se Lëvizja VETËVENDOSJE.! do të vijë në pushtet në vitin 2019. Astrit Dehari kishte shumë arsye për të jetuar dhe për të pritur fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE.!Fitoren e të cilës ai e kishte parashikuar, por nuk e lan…! Ministria e Drejtësisë ka marrur raportin nga Instituti Zviceran para ditës së fitores së Lëvizjee VETËVENDOSJE!..Më 06.10.2019. Pse nuk e bëjnë publike …!”, ka shkruar Gashi në Facebook duke publikuar fotot e mëposhtme.

Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të pasqaruar në burgun e Prizrenit në vitin 2016 derisa ishte në paraburgim dhe pa akuzë zyrtare.