120 ish-deputetë të legjislaturës së fundit, të cilët nuk janë legjitim që prej muajit gusht kur është shpërndarë kuvendi, po vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre të majme prej rreth 2 mijë euro në muaj nga Kuvendi i Kosovës edhe pse është jo funksional.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka konfirmuar për KosovaPress, se në bazë të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe rregullores së Kuvendit, ish-deputetët e legjislaturës së gjashtë të kuvendit po i marrin pagat, dhe këtë të drejtë do ta kenë deri në gusht të vitit 2020.
“Nëse nuk rizgjidhen deputetë disa prej tyre sërish në legjislaturën e ardhshme, pagat do t’i marrin deri më 27 gusht 2020”, thotë Krasniqi.
Përfaqësues nga shoqëria civile thonë se marrja e pagave të majme nga kuvendi jofunksional, tregon që deputetët si ligjvënës janë përkujdesur vetëm për veten e tyre, ndërsa për mijëra qytetarë të cilët mbesin pa punë në sektorin privat nuk kanë krijuar bazë ligjore për përkujdesje shtetërore për ata.
Drejtori ekzekutiv në organizatën “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se këto paga janë të përcaktuara me ligj, por për këtë ka argumente pro dhe kundër.
Demhasaj ka kërkuar që pavarësisht që Kosova ka një buxhet të pa përballueshëm, ishte dashur që të rregullohet kjo çështje edhe për punonjësit në administratë të shtetit dhe për ata në sektorin privat që nuk kanë benificione fare, edhe pse janë kontribuues të tatimeve në paga.
Ndërsa, Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), thotë se bazuar në ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, i cili është hartuar dhe miratuar diku në vitin 2011, ekziston një dispozitë ligjore me të cilin i sigurohet secilit deputet që ka përfunduar të paktën një mandat ose për ata të legjislaturës së kaluar, gëzon të drejtën e kompensimit të pagës bazë gjatë kohës sa ka punuar si deputet për një periudhë 12-muajshe ose një vjeçare, mirëpo sipas saj, kjo mund ta ndalohet më herët në qoftë se deputeti në fjalë ka të hyra të tjera nga një burim tjetër financiar, qoftë në institucione publike ose në sektorin privat.
Deputetët për një muaj marrin 240 mijë euro. Po ashtu, pagat po vazhdojnë t’i marrin edhe kryeministri në detyrë, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politik, privilegje për ta do të ketë sikur për ish deputetët.
Ndërsa, kuvendi i cili është shpërndarë më 22 gusht, pritet konstituohet pas certifikimit të rezultateve. /Njeshi/