Nga viti 2011 e deri në vitin 2018, Komunës të Prishtinës, nuk ka mundur t`ia kalojë asnjë komune tjetër sa i përket numrit të të punësuarve – stafit.
Në këtë aspekt, ajo është Kampione e padiskutueshme, duke lënë shumë mbrapa komunat e tjera të mëdha dhe lëre më ato te vogla.
Plot 772 të punësuar kishte komuna e Prishtinës deri në vitin 2018, raporton“Front Online”.
Ky numër është pakrahasimisht dyfish më i lartë, sesa i komunës së dytë me numrin më të madh të puntorëve, Prizrenit.
Kjo komunë ka të punësuar në të gjithë hierarkinë e saj, 375 persona, thënë ndryshe 397 të tillë më pak sesa Prishtina.
Madje, edhe po të bëhen bashkë Prizreni, si komuna me stafin e dytë më të madh dhe Gjilani, që ka stafin e tretë më të madh, prapë nuk mund ta tejkalojnë komunën e kryqytetit.
Prishtina e vetme numëron 772 punonjës, ndërsa Prizreni me 375 e Gjilani me 345 të tillë së bashku kanë një staf të përbërë prej 720 personave.
Këto të dhëna janë të publikuara në aplikacionin “Letërnjoftimi i Komunave”, i krijuar nga Instituti Gap.
Bazuar në të dhënat e këtij instituti, një numër kaq te madh të punonjësve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e kishte trashëguar nga qeverisja e kaluar Mustafa.
Mirëpo, Ahmeti, vetëm se ka vazhduar me zgjerimin e stafit.
‘Armatës’ prej 737 persona sa ishin pjesë e stafit komunal kur ai e mori qeverisjen në vitin 2013, për pesë vite i janë shtuar edhe 35 ‘ushtarë’.
E kritika Ahmetit, për rritje të stafit dhe administrates, i ka drejtuar opozita.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Ahmetin për shtimin e tri drejtorive të reja tjera.
Megjithkëtë, numrin e madh të stafit, nuk arsyetojnë punët konkrete.
Kjo ngase Komuna e Prishtinës është ‘ngelçe’ sa i përket shpenzimeve për investimet kapitale.
Ajo, sipas organizatës INPO, nuk ka arritur ta shpenzojë as gjysmën e buxhetit të planifikuar për diçka të tillë.
“Nga mbi 38 milionë euro të parapara për këtë kategori, komuna ka shpenzuar vetëm 16 milionë e 728 mijë euro, apo vetëm 43.47% të mjeteve në dispozicion”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Krahasuar me vitet paraprake 2017, 2016 dhe 2015, del se niveli i ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale ka pësuar rënie drastike.
Në vitin 2017, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 56.48% të mjeteve në dispozicion, ndërkaq 58% në vitin 2016 dhe 62% në vitin 2015.
Ndryshe, komuna e Prishtinës ka buxhet më të madh sesa të gjitha komunat e tjera në Kosovë.
Buxheti i saj, i miratuar me 26-të vota pro, 16-të kundër dhe një abstenim, kap kostën e 87 milionë e 733 mijë e 825 eurove.