Jo vetëm në firmat e prira drejt skandaleve si Boeing apo Tesla, por edhe në shumë të tjera.
Më 11 tetor, Boeing, i cili po përpiqej ta rimerrte veten pas dy përplasjeve fatale të avionëve të tij, njoftoi se po shkarkonte Drejtorin Ekzekutiv, Dennis Muilenburg, nga pozicioni si kryetar i gjigantit të hapësirës ajrore, shkruan The Economist.
Në po të njëjtën ditë, bordi i Renault votoi për të shkarkuar CEO-n e tij, Thierry Bolloré, si pjesë e rregullimit të vetëqeverisjes së Reanult-it dhe, mbi të gjitha, për të shmangur çdo akuzë të mundshme për keqbërje financiare, gjë që do ta rëndonte imazhin e kompanisë. Këto akuza janë në vazhdë të atyre që përfshinë edhe paraardhësin e tij, Carlos Ghosn, i cili ishte CEO edhe i Renault dhe Nissan. Ndërkohë, z. Ghosn i ka mohuar të gjitha akuzat.
Vitin e kaluar, Elon Musk hoqi dorë nga presidenca e tij, por jo nga drejtimi i bordit ekzekutiv, në mes të një hetimi që po kryhej ndaj tij nga Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve të Amerikës.
Nuk janë vetëm firmat e prira ndaj skandaleve ato që po zgjedhin të ndajnë këto dy role kryesore në qeverisjen e tyre. Që nga viti 2001, pjesa e firmave të S&P 500, të cilat kanë në krye një person të vetëm, i cili merret si me menaxhimin ashtu edhe me qeverisjen, është pothuajse përgjysmuar. Rregulloret e reja në Amerikë kanë bërë që aksionerët t’i kushtojnë më shumë vëmendje çështjes në fjalë.
Edhe në Japoni, “Dualiteti i CEO-ve” mundëson ekzekutimin më të shpejtë të vendimeve strategjike të bordit dhe ndihmon udhëheqjen të ruajë një front të unifikuar. Por kjo ndikon edhe në zbehjen e kontrolleve dhe lëkundjen e ekuilibrave të një firme. Pasojat e konflikteve të interesit mund të sjellin rritjen e nivelit të pagave të ekzekutivit dhe të dekurajojnë shpërndarjen e informacioneve të caktuara.
Studimet e ndryshme që po merren me analizimin e lidhjes midis performancës së kompanisë dhe CEO-ve, nuk kanë arritur të nxjerrin një përfundim, i cili t’u japë fund pikëpyetjeve të shumta në këtë drejtim.
Sipas firmës Challenger, Grey & Christmas, viti 2019 parashikohet të jetë i duhuri për të shënuar një nivel të ardhurash rekord të CEO-ve. Muaji shtator ka parë lëvizjen më të madhe të CEO-ve, në kompani si WeWork, eBay dhe SAP. Nëse trende të tilla do të vazhdojnë, atëherë shefat e porsazgjedhur nuk duhet të kenë pritshmëri që do të jenë po ata që do të mbikëqyrin veten.