Studentët përsëri protestojnë para MASHT-it për bursat studentore

Studentët e Fakultetit të Edukimit dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sportive janë duke protestuar para Ministrisë së Arsimit kundër konkursit të kësaj ministrie për bursat e studentëve.

Përfaqësuesit e studentëve nga këto fakultete kanë kërkuar nga ministri Shyqiri Bytyqi që ta anulojë konkursin në të kundërtën kanë thënë se nuk i ndalin protestat, raporton Koha Ditore.

Një ditë më parë para MASHT-it kanë protestuar edhe studentë të Fakultetit të Arteve, Fakultetit Filozofik dhe të disa drejtimeve të Fakultetit të Mjekësisë.

Reklama e sponzorizuar

Edison Bibaj nga Këshilli i Fakultetit të Arteve ka konfirmuar se nga sot studentët e këtij fakulteti e kanë bojkotuar mësimin.

Bojkotimin e mësimit e kanë paralajmëruar edhe studentët e fakulteteve tjera nëse nuk anulohet konkursi për bursa.

Ministria e Arsimit në konkursin e shpallur më 28 tetor ka paraparë të ndahen bursa vetëm për disa fusha të studimit si Bujqësi, Veterinari, fushat e Fakultetit të Shkencave matematike-natyrore, Mjekësi e përgjithshme, Farmaci, Stomatologji, Teknik, si dhe Shkenca të aplikuara. Përmes një komunikate për media të hënën, MASHT-i është arsyetuar se këtë vit ka zgjedhur të mbështes vetëm fakultetet që përgatisin kuadro deficitare.

Përfaqësuesit e studentëve janë pritur në një takim nga ministri Shyqiri Bytyqi mirëpo kanë dalë pas pak minutave duke thënë se nuk kanë arritur asnjë marrëveshje. Studentët i kanë dhënë afat ministrit që deri nesër ta anulojë konkursin ne të kundërtën nga e ënjta kanë paralajmëruar vazhdim të protestave dhe bojkotim të procesit mësimor.