Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me gjashtë muaj burg efektiv dhe 500 euro gjobë, ish-zyrtarin ligjor në “Raiffeisen Bank”, Granit Hyseni, i akuzuar për përvetësim në detyrë.
Por, me pajtimin e të akuzuarit Hyseni dënimi prej gjashtë muajsh burgim i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 3000 euro.
Këtë aktgjykim e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, të enjten, pasi që i akuzuari Hyseni e kishte pranuar fajësinë se pa autorizim kishte tërhequr 3500 euro nga llogaria rrjedhëse e kompanisë “Patroni”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, nëse Hyseni nuk e paguan gjobën e tërësishme në afat prej tre muajsh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, mund t’i mbetet në fuqi dënimi me burgim efektiv.
Ai, po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit të paguajë nga 50 euro.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 6 nëntor 2019, i akuzuari Hyseni kishte pranuar fajësinë për përvetësim në detyrë.
“Unë edhe atëherë kur më kanë thirr jam deklaruar i gatshëm me i kthy ato pare që i kam marrë, koleget janë kallxu të drejt me mua, ata kanë thënë se nëse i kthen paratë nuk të lajmërojmë, por unë atë kohë nuk kam mujt me i kthy paret”, kishte deklaruar i akuzuari Hyseni.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 8 dhjetor 2015, i akuzuari Granit Hyseni, në cilësinë e zyrtarit ligjor në “Raiffeisen Bank”, pa autorizim kishte tërhequr mjete monetare nga llogaria rrjedhëse e kompanisë “Patroni”, në data ta ndryshme.
Në aktakuzë thuhet se ai në tetor 2013, kishte tërhequr 1300 euro, ndërsa në nëntor 2013, fillimisht 1000 euro, pastaj 700 dhe 500 euro, me ç’rast të dëmtuarës “Raiffeisen Bank”, i kishte shkaktuar dëm material në vlerë prej 3.500 euro.
Me këtë, ai akuzohej për veprën penale “Përvetësim në detyrë”. /BetimipërDrejtësi/