Fusha e planifikimit të buxhetit të shtetit si duket ende ka nevojë për shumë përmirësime.
Raportimi financiar i gati secilit institucion apo ndërmarrjeje në vend, për vite me radhë nuk është përmirësuar dhe ende paraqet një gjendje mjaft shqetësuese, gjendje kjo që e ka konstatuar edhe vet Auditori, në raportet financiare vjetore të publikuara së fundmi.
Qeveria, tani në largim e Republikës së Kosovës për vitin 2018 pati miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës, i cili kishte paraparë të hyra të përgjithshme në vlerën prej 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të kapnin shifrën e 2 miliardë e 82 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
E të hyrat dhe shpenzimet shtetërore duhet të jenë gjithmonë të balancuara. Por, meqenëse të hyrat sipas buxhetit fillestar ishin parashikuar të jenë më të vogla se shpenzimet, diferenca ishte planifikuar të mbulohet nga fondet e huamarrjes, kthimi i disa borxheve nga ndërmarrjet publike, të hyrat e njëhershme të Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe nga disa burime tjera jo të rregullta.
Në fund të vitit fiskal të 2018-ës, shuma faktike e pranimeve ishte më e vogël kundrejt planit për 179 milionë, ose 8%, prej të cilave 40 milionë euro lidheshin me pranime buxhetore, kurse pjesa tjetër kishte të bënte me mos realizimin e planit të kredive për projekte kapitale me huamarrje shtetërore.
Gjithashtu, shuma totale e pagesave për vitin fiskal 2018 ishte më pak sesa buxheti final për 216 milionë, apo 10%. E shpenzimi i tërë buxhetit sipas rrjedhës së parasë ishte ekzekutuar në shkallën prej 98.5%.
Këto përqindje tregonin se diferencat në mes buxhetit fillestar dhe atij final ishin fare të vogla, por diferencat në mes planifikimit dhe realizimit të tyre patën dalë të jenë mjaft të larta, kryesisht për pjesën e fondeve të planifikuara nga huamarrja për projektet kapitale të cilat nuk janë zhvilluar sipas dinamikës së planifikuar të zbatimit të tyre.
E keqklasifikimi i shpenzimeve vazhdon të mbetet fusha më problematike në aspektin e raportimeve financiare, pasi edhe gjatë vitit 2018 janë identifikuar shuma të larta të keqklasifikimit të shpenzimeve nëpër kategori të ndryshme ekonomike, që në total ishin 22 milionë e 11 mijë e 636 euro të keqmenaxhuara, vlerë kjo dukshëm më e lartë se ajo e vitit 2017, prej 16 milionë e 37 mijë e 978 euro.
E gjithë kjo, sipas Auditorit kishte ndodhur për tri arsye: e para me gabimet në rastin e planifikimeve përmes procesit buxhetor prej 18 milionë e 963 mijë e 580 eurove keqmenaxhim; e dyta, Organizatat Buxhetore gjatë vitit për arsye të ndryshme kishin kryer pagesa nga kategoritë joadekuate prej 1 milionë e 167 mijë e 527 euro; dhe e treta, ekzekutimi i pagesave të detyrueshme si: vendime gjyqësore dhe përmbarimore, pagesa direkte nga ana e Thesarit nga kategoritë jo adekuate, kryesisht për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore në kategorinë përkatëse të OB.
Megjithatë, kategoria më e ndikuar nga keqklasifikimet padyshim ishte ajo e investimeve kapitale, nga e cila ishin derdhur para në kategoritë për mallra dhe shërbime, si dhe subvencione, në shumë prej 19 milionë e 454 mijë e 266 euro apo 88% e totalit.
Përkundër projeksioneve fillestare të buxhetit ku për investime kapitale ishin ndarë 694 milionë të buxhetit total, me ndryshime buxhetore gjatë vitit kjo shumë ishte zvogëluar në 674 milionë, ndërsa ishte arritur që të shpenzohen vetëm 533 milionë e buxhetit final.
Përqindjen e ultë të shpenzimeve kapitale, sipas Auditorit e ka ndikuar mosrealizimi i projekteve të parashikuara me klauzolën e investimeve, sipas së cilës ishin buxhetuar 62,127,422€, ndërsa nuk kishte asnjë shpenzim në fund të vitit.
Performancë të dobët tek investimet kapitale kishin treguar edhe disa komuna të Kosovës. E në performancën e dobët të komunave vlerwsohet se kishte ndikuar mos shfrytëzimi i të hyrave vetjake, i cili ishte vetëm 54% në nivel të gjitha komunave.
Realizim më të dobët kishte komuna e Prishtinës me vetëm 38%, Komuna e Prizrenit me 62%, Komuna e Gjilanit me 75% e kështu me radhë.
Fondet buxhetore për investime kapitale ishin të destinuara për financimin e projekteve në infrastrukturë, ndërtimin e autoudhëve, rrugëve lokale, në fushën e arsimit, shëndetësisë, objekteve kulturore dhe sportive, dhe shërbimeve tjera publike.
Me rastin e përgatitjes së buxhetit vjetor, është vërejtur një tendencë permanente nga ana e Qeverisë që shpenzimet buxhetore në këtë kategori t’i rritë nga viti në vit, për shkak se investimet kapitale ndikojnë direkt në rritjen ekonomike kombëtare.
Por, për shkak të procedurave të stërzgjatura të prokurimit, ankesave të operatorëve në OSHP, çështjeve të pazgjidhura pronësore, shkalla e ekzekutimit të buxhetit në këtë kategori, vazhdon të mbetet më e ulta për vite me radhë.
Kurse sa u përket pagave, në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, ato marrin pjesë me 30% dhe përfaqësojnë kategorinë me përqindjen më të lartë të shpenzimeve.
Fondi i shpenzimeve të pagave bruto ishte rritur përafërsisht 42 milionë në krahasim me vitin 2017. Kjo rritje kishte ardhur si pasojë e rritjes së numrit të punëtorëve në sektorin publik gjatë vitit 2018 për 1,078 të punësuar të rinj, zbatimit të vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave në disa sektorë qeveritar si dhe pagesa e përvojës së punës.
Me rastin e testimit të pagave, respektivisht vijueshmërisë në punë të punësuarve, Auditori pat gjetur se 271 punëtorë të sistemuar në njëmbëdhjetë (11) ministri, janë paguar gjatë tërë vitit në një shumë totale prej 1,294,222€ pa dalur fare në punë. Ky staf ishte shpërndarë nëpër këto ministri si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë të vitit 2016, por që futja e tyre në listën e pagave ishte bërë para se të krijoheshin kushtet normale për punë.
Sa i përket numrit të të punësuarve, sipas Ligjit të Buxhetit nr. 06/L-020, numri i lejuar i stafit në nivelin qendror dhe lokal ishte 84,428, ndërsa numri aktual i të punësuarve në fund të vitit ishte 80,224.
Ndryshe, paga mesatare bruto në sektorin publik për vitin 2018 ishte 615 euro, kurse rritja mesatare e pagave bruto në krahasim me një vit më parë ishte 35 euro apo 6%. /Buletini Ekonomik/