Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje për personat që po trajtohen në spitale.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se nga tërmeti i një dite më parë kanë mbetur të plagosur 658 të plagosur ndërkohë që aktualisht vijojnë të jenë të shtruar 68 persona. Manastirliu tha se një djalë dhe një vajzë që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore do të dërgohen jashtë vendit për një ndihmë më të specializuar mjekësore.
“Tashmë jemi mobilizuar në planin e rimëkëmbjes dhe në kampet që janë ngritur. Tashmë janë duke punuar e gjithë qeveria me partnerët. Qytetarët që janë në çadra do marrin kujdesin shëndetësor dhe psiko-social. 658 të plagosur deri më tani, ndërkohë që 68 persona vijojnë të jenë të shtruar tek Spitali i Traumës në Tiranë. Duhet të vlerësohet në 360 gradë e gjithë situata. Një djalë dhe një vajzë janë në gjendje më të rëndë dhe mund të dërgohen jashtë vendit për një ndihmë më të specializuar mjekësore”, tha Manastirliu.
Gazetarja e Report Eliza Gjediku raporton se dy të rinjë që do dërgohen jashtë vendit janë Marlin Shkodrani 30 vjeç, Xhensila Biqiku 20 vjeç.
“Dua të garantoj që puna që është bërë nga mjekët në Tiranë dhe Durrës është një punë e jashtëzakonshme profesionale, por duam që të mos mungojë asgjë dhe nëse është e nevojshme, të sigurojmë trajtim edhe më të specializuar se në Shqipëri”, tha Manastirliu, raporton KTV.