Lumenjtë e fundit me rrjedhje të natyrshme, mund të shkatërrohen tërësisht nëse ndërtohen gjeneratat e reja të digave hidroelektrike.
Ekspertët kanë paralajmëruar se më shumë se 28 për qind e hidrocentraleve planifikohet të ndërtohen në rezervatet natyrore. E shumë prej këtyre hidrocentraleve pritet të ndërtohen në Shqipëri dhe Ballkan, shtëpi të disa lumenjve të paprekur të Evropës, raporton KTV.
Lumenjtë në Evropën Perëndimore dhe atë Qendrore tashmë janë nën mijëra gypa.
Digat e ndërtuara nga dora e njeriut në Evropë kanë zvogëluar popullsinë e peshqve, sidomos të troftës dhe salmonit.
Në një studim të organizatës ndërkombëtare për lumenjtë, “RiverWatch”, thuhet se gjatë viteve të ardhshme në Evropë do të ndërtohen 8 mijë e 507 hidrocentrale, duke e bërë kontinentin me 21 mijë sosh. E 278 diga janë në ndërtim e sipër, disa prej tyre në Shqipëri.
“Po përballemi me asgjë më pak se fundin e lumenjve të rrjedhshëm në Evropë, nëse nuk i ndalim këto hidrocentrale të çmendura”, ka thënë Ulrich Eichelmann, shef ekzekutiv i “RiverWatch”, një prej katër organizatave që kanë realizuar studimin.
Ai shton se me arsyetimet për energji të gjelbër, politikanët kanë marrë vendim që t’i shkatërrojnë lumenjtë e mbetur të Evropës.
Kualiteti dhe diversiteti i lumenjve në Ballkan është i pakrahasueshëm, derisa hidrocentralet në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, kanë pasur ndikim shkatërrues në lumenj.
Sipas Eichelmann, lumi Vjosa është një prej lumenjve më të mëdhenj evropianë që po përballet me zhdukje të tërësishme si rezultat i projekteve të hidrocentraleve në Shqipëri.
Hulumtimi akademik ka gjetur se 30 specie të peshqve në Ballkan, rrezikojnë zhdukjen nëse qeveritë vazhdojnë me realizimin e projekteve të hidrocentraleve.
Raporti i organizatave u publikua në periudhën kur liderët e rinj të Bashkimit Evropian, po përgatitin planet për “marrëveshje të gjelbër evropiane”, që do të shpinte në zgjerimin e energjisë së ripërtërishme me qëllim që deri në vitin 2050, të ketë zero emetim të gazrave.
Këto organizata kanë argumentuar se Evropa tashmë është e mbushur me diga dhe insistojnë se hidrocentralet nuk duhet të konsiderohen si formë të energjisë së gjelbër.