Agjencia e Statistikave të Kosovës ditë më parë ka publikuar raportin për Llogaritë Qeveritare të Kosovës, të tremujorit të fundit të këtij viti.
Sipas këtij raporti, shuma e të hyrave të Qeverisë së përgjithshme gjatë këtyre tre muajve të fundit, po të këtij viti, ishte gjithsej 600.7 milionë euro.
Shumicën e këtyre të hyrave, e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 68 për qind të totalit të të hyrave të shtetit, apo 405.8 milionë euro gjithsej vetëm në këtë tremujor të fundit, kurse pjesa tjetër e të hyrave është shpërndarë në kategori tjera, si Tatimi në vlerën e shtuar apo TVSH-ja me 227.4 milionë euro, pastaj Tatimi dhe Dogana në importe duke përjashtuar TVSH-në me 167.5 milionë euro, dhe duke vazhduar me Taksat për importe pa TVSH dhe detyrimet tjera që përbëjnë 129.7 milionë të të hyrave të përgjitshme.
Ndërkohë, nëse llogarisim të hyrat që nga janari i këtij viti e deri më tani, shteti ynë ka pranuar të hyra në vlerë të 1 miliard e 673 milionë e 300 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Përpos të hyrave, Qeveria e Kosovës po ashtu kishte edhe shpenzime, të cilat arritën shifrën e 511.9 milionë eurove vetëm gjatë tremujorit të fundit.
Pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve të Qeverisë e përbëjnë kompensimi i punëtorëve me pjesëmarrje 30% apo 152.3 milionë euro, kontributet sociale dhe përfitimet 26% apo 132.1 milionë euro, formimi i kapitalit bruto 21% apo 105.6 milionë euro, konsumi i ndërmjetëm me pjesëmarrje prej 59.3 milionë euro apo 12%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura tjera të shpenzimeve, si subvencione, transferta kapitale, aktivet dhe detyrimet tjera financiare etj.
Nndërsa në bazë të kategorisë COFOG, shpenzimet më të mëdha janë bërë në sektorin: mbrojtja sociale prej 122.6 milionë eurove apo 24%, në arsim 84.4 milionë euro apo 16%, shërbime të përgjithshme 80.4 milionë euro apo pjesëmarrje prej 16%, çështjet ekonomike me 81.8 milionë euro apo pjesëmarrje prej 16%, në shëndetësi 52.9 milionë euro apo 10% të shpenzimeve të përgjithshme.
Ndërkohë për kategoritë si Mbrojtja e mjedisit, Qeveria ka shpenzuar vetëm 6.6 milionë euro, për mbrojtje të shtetit 9.7 milionë euro, ndërsa për strehim dhe pajisje për komunitetet ajo ka shpenzuar vetëm 12.7 milionë euro.
Gati njësoj janë edhe shpenzimet në fushën e rekreacionit, kulturës dhe religjionit me një total prej 17.9 milionë euro. /Buletini Ekonomik/