Formimi i institucioneve, është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të angazhohet në këtë proces, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj nuk ka thënë nëse do të përkrahë kandidatin për president nga koalicioni eventual ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, raporton KTV.
Këto komente, kryeministri në detyrë, i bëri pas takimit me ambasadorin gjerman Christian Heldt. Haradinaj dhe Heldt në një konferencë të përbashkët, njoftuan edhe për finalizimin e procedurave për Parkun e Erës në Bajgorë, projekt ky që lidhet me energjinë e ripërtërishme në vend. Kreu i ekzekutivit, tha se me këtë projekt ka filluar një epokë e re.
Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë, tha se projekti për energjinë e ripërtërishme, shpie drejt një të ardhme ku Kosova merr më shumë autonomi në aspektin e energjisë së pastër.
“Ky është projekti i parë i tillë në kornizën ligjore për investime strategjike. Unë si ambasador gjerman, jam shumë krenar që një projekt i tillë në energjinë e ripërtërishme mund të bëhet brenda kësaj kornize. Ka pasur shumë sfida dhe ky është momenti që t’i falënderojmë të gjitha palët e interesit nga ana e biznesit, mirëpo gjithashtu edhe administratën kosovare, Qeverinë dhe agjencitë që kanë luajtur rol të rëndësishëm për të bërë këtë që të ndodhë”, tha Heldt.
Ky projekt parasheh investime prej 170 milionë eurosh dhe pritet të përfundojë më 2021.