Bujqësia është vlerësuar e konsiderohet si njëri nga sektorët me potencial të madh në Kosovë, dhe i cili mund të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Por, fatkeqësisht degradimi i tokës bujqësore nuk ka të ndalur në Kosovë dhe statistikat janë shqetësuese.
Në dekadën e fundit në Kosovë ka filluar më të madhe shkatërrimi apo asgjësimi i tokave bujqësore.
Statistikat tregojnë se një sipërfaqe e madhe e tokave të punueshme, tashmë janë betonuar, duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objektet hoteliere, por edhe pompa të benzinës, etj.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus thotë se 20 vite më parë Kosova kishte 400 mijë hektarë tokë të punueshme, ndërsa tani ka rreth 40 % më pak sipërfaqe të tillë.
“Kosova çdo vit humb tokë bujqësore, duke ndodhur uzurpime për ndërtime të ndryshme dhe duke mbetur djerrina të cilat pas disa viteve po kthehen në pyje. Pra, sipërfaqet e tokës janë zvogëluar shumë, sivjet është punuar toka bujqësore rreth 40% më pak se në vitet e mëparshme për shkak të thatësisë, të mungesë të tregut, për shkak të konkurrencës jolojale të importit, dhe se punëtori i tokës po ikën jashtë vendit”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, kjo situatë është shqetësuese, duke pasur parasysh që edhe sipërfaqja e tokës së punueshme që ishte 20 vite më parë nuk ishte e mjaftueshme për t’i mbuluar nevojat e popullit, ndërsa tani që kemi më pak është një mungesë më e madhe për Kosovën.
Në këtë rast, Tahiri tregon se toka e Kosovës vazhdon ende të mbillet më së shumti me grurë e misër, ndërsa ka kritikuar autoritetet e vendit për keqpërdorime me subvencione.
“Toka e Kosovës mbillet më së shumti me grurë, misër dhe perime, por subvencionet nuk i plotësojnë nevojat e bujqve të interesuar sepse janë të vogla dhe keqpërdoren nga institucionet e shtetit”, tha ai.
Por një gjë të tillë nuk po e pranojnë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Nga kjo ministri thonë se punimi i tokës bujqësore nga viti në vit po punohet më shumë dhe se rritja është evidente.
“Krahasuar me vitin 2017 kur sipërfaqja e tokës së punueshme bujqësore ishte 186,954 ha, në vitin 2018 kjo sipërfaqe ishte 188,359 hektarë. Sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore i referohet sipërfaqes së përgjithshme të tokës së punueshme-arat, livadhet dhe kullosat, kulturat shumëvjeçare dhe kopshtet e përdorura nga ekonomia bujqësore, pavarësisht nga lloji i zotërimit. Nuk janë të përfshira të dhënat për tokën pyjore, tokën bujqësore të papërdorur dhe tokën jobujqësore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Gjithashtu nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë dhënë shifra ku tregohet për sipërfaqen e tokës së punuar gjatë këtij viti edhe të mbjellat në të cilat është investuar, dhe se ku kanë shkuar grantet dhe subvencionet.
“Drithërat kanë pasur sipërfaqe më të madhe me gjithsej 123,869.00 hektarë, ku prej tyre sipërfaqe më të madhe zënë gruri dhe misri, si dhe drithëra tjera, por me pjesëmarrje shumë më të vogël, kultura foragjere dhe drithëra të kositura të gjelbra 107,099 hektarë, perimet 17,886 ha, pemët 7,922ha, dhe vreshtat 3,272 ha. Mbështetja është e njëjtë ashtu siç ka qenë edhe në vitin 2018, përveç se ka filluar edhe subvencionimi i kulturës se duhanit, tërshërës dhe sasisë së mjedrës së shitur. Gjithashtu këtë vit është filluar edhe me mbështetjen e primit të sigurimit të kulturës së mjedrës”.
Kujtojmë se për vitin që po lëmë pas (2019) Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë buxhet prej 45.5 milionë euro për grante dhe subvencione.
Ndryshe, subjektet politike pa përjashtim thuajse në të gjitha zgjedhjet i kanë dhënë një rëndësi të veçantë zhvillimit të bujqësisë. Tani pritet të shihet nëse ky sektor do të merr mbështetje më të madhe vitin 2020. /FaktePlus/