Kosova rrezikon të humbasë miliona euro në rastet e arbitrazheve ndërkombëtare. Deri tani, katër kompani e kanë paditur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, derisa edhe dy të tjera po e paralajmërojnë një gjë të tillë. Vlera e këtyre padive shkon në rreth 200 milionë euro.
Katër arbitrazhe ndërkombëtare e presin vendin në muajt në vazhdim, e që mund ta dëmtojnë buxhetin e shtetit për rreth 200 milionë euro.
Deri tani, tri kompani vendore dhe një e huaj kanë dorëzuar padi kundër Republikës së Kosovës në Arbitrazh, derisa edhe dy të tjera janë hapave të tyre.
Në mesin e kompanive që kanë dorëzuar padi është edhe kompania e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.
“MABCO Constructions”, e ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë, por që më pas i ishte anuluar ky privatizim.
Padi në Arbitrazh ndaj shtetit të Kosovës ka bërë edhe kompania e ish-zyrtarit të PDK-së, Bedri Selmani.
Selmani e akuzon shtetin për shkelje të rëndë ligjore të afarizmit të ndërmarrjes, që i është bërë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përmes ofertimit për dhënien me qira të një pjese të aseteve të “Kosova Petrol”, të cilat, siç pretendon Selmani, nuk ishin as në administrim dhe as në menaxhim të AKP-së.
Përveç kompanive vendore, padi ka ushtruar edhe një kompani e huaj.
Kompania e tretë është nga Britania dhe e njëjta ka ushtruar padi për një rast në sektorin minerar.
Gjykatës së Arbitrazhit i është drejtuar së fundi edhe kompania Z-Mobile.
Kompania e Blerim Devollit e ka dërguar në Arbitrazh Telekomin, nëpërmjet një padie 28-faqëshe.
Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile kërkon rreth 13.5 milionë euro, ose 15 milionë dollarë siç thuhet në padi, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi.
Z-Mobile pretendon se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.
Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Telekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.
Në situatën e tillë, “Z Mobile” kishte thënë se, “duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës së arbitrazhit ndaj Telekomit”.
Por, kjo nuk është hera e parë që kjo kompani dhe Telekomi përballen në Arbitrazh.
Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009.
Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.
Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.
Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh.
Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.
Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.
Ndërkohë, ende pa përfunduar këto raste, padi në Arbitrazh kanë paralajmëruar edhe dy kompani tjera.
Bëhet fjalë për “Monego” dhe “Iute Credit”, të cilave para rreth një muaji iu revokua licenca nga Banka Qendrore e Kosovës.
Sipas avokatit të “Iute Credit”, mund të ketë padi me dëme deri në 12 milionë euro.
“Brenda disa ditëve do dërgohet shtyrja e vendimit në gjykatë, ta shpëtojmë IuteCredit nga likuidimi, t’i ruajmë 340 vende pune. Do mund të ketë padi në gjykatën e arbitrazhit me dëme deri 12 milionë euro. Të heqim njollën diplomatike të Kosovës për shtetin që e ka përkrahur që nga fillimi, besoj se këto padrejtësi do rishikohen në gjyqësor”, ka paralajmëruar avokati Korab Sejdiu.
Iute Credit është kompani nga Estonia, e cila në tregun e Kosovës operon qe dy vjet.
Padi në Arbitrazh ka paralajmëruar edhe “Monego”. Përfaqësues të autorizuar të kësaj kompanie kanë mbajtur një konferencë për medie në të cilën kanë kërkuar që të mos revokohet licenca para një vendimi të Gjykatës. E në rast se vendimi i Gjykatës është negativ, kanë thënë se rasti do të dërgohet edhe në arbitrazh.
Përfaqësuesi i autorizuar i Monego, avokati Arianit Koci, ka thënë se rasti në arbitrazh është i fituar nga Monego.
“Nëse nuk ec në këtë mënyrë ne e kemi edhe rastin e arbitrazhit por nuk do të kishim pas dëshirë që shkoj në arbitrazh e Kosova të pësoj debakël sepse ne jemi të bindur që ky rast do të fitohet”, ka thënë Koci, ditë më parë.
Gazeta Express ka provuar që të marrë detaje për këto raste edhe në Ministrinë e Drejtësisë, por që në këtë institucion nuk kanë kthyer përgjigje as pas rreth dy muajsh.
Mirëpo, rreth këtyre rasteve ka folur ditë më parë Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai ka paralajmëruar punë të vështirë për pasardhësin e tij në këtë dikaster.
“Tri çështje mjaftë komplekse dhe sfiduese për Ministrin e ardhshëm të Drejtësisë janë rastet e arbitrazheve, që bien në domenin e Ministrisë së Drejtësisë. Republika e Kosovës do të ballafaqohet me tri raste që janë në arbitrazh ndërkombëtar. Ministri i ri duhet të ketë shumë kujdes dhe të angazhoj ekipe të mirëfillta për përballje në arbitrazh me këto raste. Në total këto padi arrijnë në 150 milionë euro”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, Kosova, vitin e kaluar ia doli të fitojë një rast aspak të lehtë në Tribunalin e Arbitrazhit. Në fakt ishte padia më e madhe që i ishte bërë shtetit nga kompania gjermane AXOS për rastin e privatizimit të dështuar të Telekomit të Kosovës.
Kjo kompani në padinë ndaj Kosovës kishte kërkuar hiq më pak se 380 milionë euro dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Por, kishte qenë pala mbrojtëse e Kosovës, e cila e kishte dëshmuar të kundërtën dhe falë tyre shteti ka arritur të shpëtoj nga ky ndëshkim multi milionësh.
Rrjedhimisht, Kosova nuk i humbi 380 milionë por i fitoj afër 2 milionë euro me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Arbitrazhit.
Në vendimin e arbitrazhit përmendet shpesh profesor Qerim Qerimi, i cili me dëshmitë bindëse që ka ofruar, ka rrëzuar pretendimet e avokatëve mbrojtës të kompanisë gjermane AXOS.
“Kosova ka ofruar dëshmi bindëse në dëshminë e profesor Qerimit dhe ligjeve relevante të Kosovës. Axos e ka sfiduar interpretimin e ligjeve të Kosovës dhe praktikës gjyqësore, por nuk ka ofruar dëshmie ekspertize në këtë aspekt”, thuhet shprehimisht në paragrafin 206 të këtij vendimi. /Express/