Ndonëse ka hyrë në fuqi më 26 korrik të vitit 2019, Udhëzimi Administrativ për detyrat, përgjegjësitë, procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit, dhe të zëvendësdrejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar, procesi i zgjedhjes së tyre ka mbetur i bllokuar.
Ky udhëzim nuk po gjen zbatim, meqë po kundërshtohet nga drejtoritë komunale të arsimit. Vërejtje për këtë dokument ka edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas drejtorëve komunalë të Arsimit, komunat nuk mund ta zbatojnë një dokument që është në kundërshtim me Ligjin për arsimin parauniversitar dhe Ligjin për komuna. Kjo meqë, sipas Ligjit për arsimin parauniversitar dhe Ligjit për komuna komisionin vlerësues për zgjedhjen e drejtorëve e përbëjnë dy anëtarë të drejtorive komunale dhe një përfaqësues i MASHT-it.
Kështu parashihte edhe Udhëzimi i vjetër i miratuar në vitin 2014. Ndërkaq, me Udhëzimin e ri përcaktohet se komisioni vlerësues përbëhet nga një anëtar i Drejtorisë komunale, një përfaqësues i prindërve i nivelit komunal dhe një përfaqësues i MASHT-it. Ndërkaq në cilësinë e vëzhguesve do të jenë dy përfaqësues të Këshillit drejtues të shkollës, një prind dhe një mësimdhënës. Emërimin e bën në fund kryetari i Komunës në bazë të rezultateve të komisionit.